Muzeu Arkeologjik i Durrësit po tërheq çdo ditë vizitorë vendas dhe të huaj, të interesuar për historinë mijëravjeçare të qytetit.
Pas disa javësh, kur hyrja ishte falas, prej dy javësh vizitat në muze kryhen me pagesë.
Bileta kushton 800 lekë, ndërsa për studentët tarifa është 250 lekë dhe për pensionistët 400 lekë. Për grupet deri në 12 persona, çmimi është 700 lekë.
Pavarësisht rikthimit të tarifës, interesi i vizitorëve mbetet i lartë.
Përgjegjësja e Qendrës Muzeore Durrës, Eda Çekrezi, thotë se fluksi i turistëve ka qenë i kënaqshëm, ndërsa vizitorët shfaqin interes të veçantë për koleksionet dhe historinë që përcillet përmes objekteve arkeologjike.
Përshtypjet pozitive vijnë edhe nga turistët e huaj, të cilët e kanë vizituar për herë të parë muzeun.
Ata vlerësojnë pasurinë arkeologjike, objektet e ekspozuara dhe mundësinë për të njohur nga afër historinë e lashtë të Durrësit.
“Është hera e parë që vij këtu dhe më pëlqen shumë. Vij nga Norvegjia. Muzeu është shumë interesant dhe më pëlqen shumë edhe historia.”
“Jemi nga Franca. Është hera e parë në Shqipëri dhe po vizitojmë këtë muze për të njohur historinë dhe kulturën e vendit tuaj. Jemi shumë të impresionuar. Është shumë i bukur dhe interesant.”
“Është një muze shumë i bukur. Është interesante të shohësh se si ka qenë historia dhe kultura e këtij vendi. Vij nga Franca dhe është hera e parë që jam këtu. Njerëzit janë shumë të këndshëm dhe të sjellshëm. Është një vend shumë i bukur.”
Muzeu Arkeologjik i Durrësit u inaugurua në prill, pas përfundimit të një procesi restaurimi dhe rikualifikimi. Hapja solli një pamje të re të hapësirave muzeale dhe një mënyrë të përditësuar të prezantimit të trashëgimisë arkeologjike.
Me rikthimin e tarifave të hyrjes, muzeu vijon të jetë një nga pikat kryesore të interesit kulturor për turistët që vizitojnë Durrësin.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 