Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Intervista me Kryeministrin Ilir Meta në ambjentet e Aeroportit të Rinasit.

Kryeministri Ilir Meta:- “Komunikimi i vazhdueshëm imi si Kryeministër i Shqipërisë me Presidentin e SHBA gjatë dy ditëve të Samitit të OSBE, tregon vëmendjen dhe interesimin e SHBA për zhvillimet demokratike në Shqipëri, përkrahjen e tyre për Qeverinë e re dhe prioritetet e saj dhe angazhimin e tyre të mëtejshëm për forcimin e stabilitetit në Shqipëri dhe në të gjithë Europën Juglindore. Këto takime, këto mesazhe përkrahje, unë i kuptoj vetëm si përkrahje për Shqipërinë dhe shqiptarët, për gjithshka që ata kanë bërë për triumfin e paqes në Kosovë dhe në Rajonin tonë dhe njëkohësisht dhe si një përkrahje për prioritetet mjaft të qarta që Qeveria e re ka bërë tashmë publike për të cilat ka filluar të angazhohet konkretisht”.

Gazetari:- A ekziston një konflikt i heshtur mes jush dhe Presidentit Mejdani për pjesmarrjen në Samitin e OSBE, është folur këto ditë?

Kryeministri Ilir Meta:- “Midis meje dhe Presidentit Mejdani ka marrëdhënie të shkëlqyera jo vetëm institucionale, por edhe politike dhe personale sepse vullneti edhe i Kryeministrit edhe i Presidentit, është i përbashkët për të bërë gjithshka për forcimin e institucioneve demokratike në vend dhe përveç kësaj edhe mënyra e drejtimit është e njëjtë ajo e formës institucionale”.

Gazetari:- Zoti Meta opozita ka refuzuar ftesën tuaj për të marrë pjesë në ato komisionet e ngritura për luftën antikorrupsion dhe për organet e tjera?

Kryeministri Ilir Meta:- “Do të verifikoj edhe një herë se cili është qëndrimi më konkret dhe i fundit i opozitës, e cila natyrish nuk mund të identifikohet vetëm me një parti, por një gjë unë dua ta bëj shumë të qartë që programi antikorrupsion i bërë në bashkëpunim me donatorët dhe institucionet ndërkombëtare që kanë programe financimi dhe bashkëpunimi me Shqipërinë, do të vazhdojë në çdo rast me transparencën maksimale, dhe në radhë të parë ai që do të provojë realizimin e këtij programi me shumë se sa Qeveria vetë, partitë e mazhorancës, apo qoftë dhe partitë e opozitës do të jetë opinioni publik dhe partnerët tanë ndërkombëtare. Kështu që unë do t’i ftoja përfaqësuesit e opozitës, ata të cilët deri tani kanë refuzuar apo nuk janë prononcuar qartë në këtë drejtim, që të mos e humbasin këtë shans që edhe ata të jenë pjesmarrës në një proces antikorrupsion i cili pa diskutim do të jetë i suksesshëm. Qeveria Shqiptare e firmosi deklaraten finale të OSBE-së, por përveç kësaj unë si Kryeministër dhe si kryetar i delegacionit bëra dhe një deklaratë tjetër persa i takon problemit të Kosovës, duke qenë se kishte debate edhe për problemin e Kosovës sikur kishte debate edhe për probleme të tjera, paragrafet që kanë të bëjnë me qëndrimin dhe angazhimin e OSBE për Kosovën ishin më të zbutura sesa e verteta e vetë zhvillimeve atje të cilën unë e ndjeva për obligim që ta konfirmoja. Po kështu dëshiroj të theksoj se në deklaratën finale të OSBE për herë të parë ka nota të qarta pozitive vlerësimi dhe përkrahje për Qeverinë e re Shqiptare, veçanërisht në luftën që ka nisur kundër krimit dhe për forcimin e rendit publik dhe kundër korrupsionit, njëkohesisht në përpjekjet e saj për krijimin e një klime të re politike nëpërmjet forcimit të institucioneve demokratike dhe është vleresuar dhe një progres i bërë së fundi, dhe gjithë ky qëndrim është një inkurajim i mëtejshëm për ne për të vazhduar me më vendosmëri në konkretizimin e prioriteteve tona”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame