Në Policinë e Shtetit po goditen ata oficerë që kanë shkelur në kallo trafikantët e drogës. Ish-nëndrejtori i Policisë, dikur kreu i Bluve të Tiranës, Pjerin Ndreu, ka argumentuar, në një intervistë ekskluzive të dhënë në emisionin e Tv Klan “Ora e Parë”, se në emër të reformës në Ministrinë e Rendit janë spastruar dhe sulmuar ata oficerë që kanë goditur krimin.

Pjerin Ndreu: “Janë shkarkuar të gjithë drejtuesit që kanë kapur heroinë nga muaji nëntor 2003 deri në prill të 2004 dhe konkretisht unë nuk jam në polici. Gjatë kohës sime në Tiranë u kap rreth 22 kg drogë. Zoti Tonin Voci drejtori i Policisë së Durrësit, që në këtë periudhë u kapën rreth 70-80 kg drogë, është sot i shkarkuar nga detyra; zoti Nuredin Bega ish-drejtori i Policisë së Gjirokastrës, që po në këtë periudhë përafërsisht me shifrat ka kapur rreth 30 kg drogë, 30-35 po, është i shkarkuar nga detyra. Shefi përkatës në ministri, zoti Arjan Muça i drogave të forta, sot është i shkarkuar nga detyra dhe çuditërisht është shkarkuar vetëm një javë pasi është certifikuar në prezencën e ministrit, në prezencën e drejtorit të përgjithshëm, në prezencën e ish-ambasadorit Jeffrey, në prezencën e zyrtarëve të DEA-s dhe është falënderuar në mënyrë të veçantë për punën dhe kontributet e tij dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që ai ka pasur me partnerët tanë në luftën kundër drogave të forta dhe ka qenë një ndër pikat më të forta dhe më rezultative të Ministrisë së Rendit të kohëve të fundit. Çuditërisht pas një jave ai gjendet i shkarkuar.”

Një ditë pas lirimit nga Gjykata e Tiranës, Ndreu ka shpjeguar se arrestimi i tij, jo vetëm është i paligjshëm, por është edhe kërcënim i hapur për jetën e një ish-drejtuesi të lartë policor.

Pjerin Ndreu: “I kam bërë pyetje prokurorit në momentin që ishim, që erdhi bashkë me avokatin në qelitë e 313-ës, i kam bërë një pyetje: ‘zoti prokuror, a mund të më thoni në ç’raport është rreziku që ka mesazhi im që kam dërguar te shefi i SHKB-së në raport me rrezikun që ka jeta ime në mes të atyre që kam arrestuar unë, në ç’raport janë këto rreziqe?’ Dhe imagjinoni se sa lirë e shesin njeriun, duke mos llogaritur se kush isha unë si oficer, sa lirë shitet njeriu për inate personale a për mllefe.”

Gjykata e Tiranës shpalli një ditë më parë si të paligjshëm arrestimin e Ndreut. Kjo gjykatë i ka kthyer mbrapsht prokurorisë dosjen hetimore. Ndërsa komisioni parlamentar për rendin do të verifikojë se përse janë përdorur forcat speciale në arrestimin e një personi pa rrezikshmëri kriminale dhe për këtë mund të thirret në parlament dhe ministri Toska ose drejtori Ibraj. /tvklan.al