Banorët e njësisë Administrative Mollas në Cërrik nuk do të kenë më probleme me furnizimin me energji elektrike. OSHEE ka nisur një investim për ndërtimin e rrjetit të tensionit të ulët, i cili ishte tepër i amortizuar. Punimet u inspektuan nga kryeministri Rama, deputetë të qarkut të Elbasanit dhe drejtori i OSHEE.

“Investimi këtu është bërë që në 1967-ën dhe janë 125 milionë lekë të reja që investon OSHEE-ja për rikonstruktimin e 20 kabinave dhe ndërtimin e 3 kabinave të reja ajrore, i gjithë sistemi ABC i tensionit të ulët. Përfshin njësinë administrative Mollas, Rrajcë, Papër dhe fshatrat përreth. Ky investim mbaron për 3 muaj.”

Kryeministri Rama tha se i gjithë ky transformim në rrjetin e energjisë elektrike erdhi si rezultat i reformës së ndërmarrë nga qeveria në këtë sektor.

“Deri përpara pak vitesh as bëhej fjalë për të imagjinuar që do kishte investime në rrjetin e energjisë elektrike. U desh reforma, u deshën edhe sakrificat e shumë familjeve që të paguanin detyrimet e papaguara dhe pak nga pak të fillojmë të ndryshojmë komplet gjithë rrugën e të ardhmes.”

Në qarkun e Elbasanin po kryhen disa projekte në sektorin energjetik. Si në bashkinë e Cërrikut, por edhe në atë të Përrenjasit.

Tv Klan