Investimet e huaja direkte po zgjerohen vit pas viti në vendin tonë në sektorë të ndryshëm, kjo pasi sipërmarrësit e huaj po e shohin Shqipërinë si një terren pozitiv për të investuar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë vetëm në gjysmën e parë të 2026, flukset e investimeve të huaja direkte arritën në 1.14 miliardë euro, nga 759.1 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rritja vjetore llogaritet në 50.8%, ndërsa kontributin kryesor e kanë dhënë aktivitetet e pasurive të paluajtshme.

Vetëm në sektorin e pasurive të paluajtshme, fluksi i investimeve direkte arriti në rreth 610 milionë euro gjatë periudhës Janar-Qershor 2026, kundrejt 252.9 milionë eurove një vit më parë.

Kjo përfaqëson një rritje prej 141.1% dhe e bën këtë sektor destinacionin kryesor të kapitalit të huaj në vend.

Ndërsa në vend të dytë renditen aktivitetet financiare dhe të sigurimit, me 180.9 milionë euro investime ose 22.7% më shumë krahasuar me 6-mujorin e 2025.

Të ndara sipas shteteve përkatëse të flukseve hyrëse të investimeve të huaja, Austria rënditet e para për kontributin kryesor në investime me 122.4 milionë euro vetëm për periudhën Janar-Qershor të këtij viti.

Më pas në vend të dytë për nga shuma financiare e investimeve vjen Turqia me 111.6 milionë euro sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Me 98.7 milionë euro renditet e treta Italia, Holanda me 88.8 milionë euro, Kosova me 66.8 milionë euro, ndërsa një tjetër investitor i rëndësishëm si Gjermania kontribuoi me 61.6 milionë euro investime të huaja.

Klan News

/tvklan.al