Kryeministri: Nuk do të falim asnjë pasuri të shqiptarëve

Një ofertë fantastike me potencial të jashtëzakonshëm për Shqipërinë e ka konsideruar Edi Rama projektin e dhëndrit të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump për resortet në ishullin e Sazanit.

“A e dini si është puna, ju vini dhe bëni pyetje për ato që përflisni. Ne kemi në tavolinë një ofertë fantastike. Do ta shqyrtojmë si përfaqësues të denjë të shtetit shqiptar.”

Pas mbledhjes me drejtuesit e qarqeve në seli, kryeministri sqaroi se deri në ç’fazë janë negociatat për këtë investim.

“Propozimi nuk është ende në procesin e domosdoshëm ku duhet të kalojë në disa shkallë, është bërë një aplikim në Agjencinë tonë të Investimeve të Huaja, do e shqyrtojmë, nëse përputhet me ekuilibrin e zhvillimit me atë të mbrojtjes së natyrës, atëherë do ecim përpara.”

Mohoi të jetë një tokë e falur, pasi sipas tij në këtë investim,  aksioner do të jetë dhe shteti shqiptar.

“Këtu nuk bëhet fjalë për të falur asgjë të shqiptarëve, përkundrazi.”

Zanafilla e këtij projekti sipas Edi Ramës, është shumë më e hershme se vizitat e dhëndrit të Donald Trump në Shqipëri.

“Flasim për një aplikim që ne do ta shqyrtojmë sipas ligjit, dhe do të negociojmë për pjesëmarrjen e shtetit. Ideja e këtij projekti ka nisur përpara se unë të bëhesha kryeministër.

Kreu i qeverisë foli edhe situatën në parlament, dhe votimin e Amnistisë Penale.

“Amnistia është në tryezën e Kuvendit dhe atë besoj unë do ta votojnë që të gjithë sepse nuk kanë ku shkojnë pa e votuar. Sepse nuk është puna që do të votojnë për PS, por për një akt që historikisht parlamenti e ka bërë pa ndarje partiake sepse është një akt që e bëjnë të gjitha vendet e civilizuara, krijon mundësi që shteti të ushtrojë edhe detyrimin kushtetues të lehtësimit të barrës së dënimit për gjithë ata njerëz që meritojnë të shfrytëzojnë këtë detyrim.”

Sa i përket mbledhjes me drejtuesit e qarqeve, fokusi ishte zgjedhjet në parti dhe angazhimi i drejtuesve politikë.  Objektivi kryesor i kësaj force politike tha Edi Rama është “50 mijë anëtarë të rinj deri në Kongresin e Qershorit.”

Klan News