Irani do të fillojë të lëshojë patenta drejtimi për motoçikleta për gratë në “ditët në vijim”, një kthesë që nuk kishte ndodhur kurrë në 47 vitet që nga krijimi i Republikës Islamike.
Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëspresidentja për Çështjet e Gruas dhe Familjes, Zahra Behrouz-Azar.
“Lëshimi i patentave të drejtimit për motoçikleta për gratë është në fazën përfundimtare dhe procesi i zbatimit do të nisë në ditët në vijim”, ka deklaruar Behrouz-Azar në përfundim të mbledhjes javore të qeverisë.
Zëvendëspresidentja ka shpjeguar se bashkërendimi mes institucioneve të ndryshme të përfshira “ka përfunduar” dhe se gratë, pasi të kenë ndjekur kurset që do të organizohen nga Policia Rrugore, do të mund të aplikojnë për patentë për drejtimin e motoçikletave.
Kurset, ka sqaruar zyrtarja, do të duhet të zhvillohen nga instruktore dhe oficere femra, ndërsa edhe provimet do të mbikëqyren nga personel femëror.
“Në rast mungese të personelit”, ka shtuar ajo, mund të ndërhyjnë edhe oficerë meshkuj, “gjithmonë në respektim të normave fetare dhe islame”.
Në muajt e fundit në Iran është intensifikuar debati mbi ndalimin e grave për të drejtuar motoçikleta, ndalim që është në fuqi që nga themelimi i Republikës Islamike në vitin 1979.
Arsyeja zyrtare qëndron në nenin 20 të ligjit iranian të qarkullimit rrugor, i cili i referohet “burrave” në kapitullin kushtuar patentave për motoçikleta, interpretim që deri më tani ka penguar lëshimin e licencave për gratë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
