Ushtria iraniane ngarkoi mina detare në anijet në Gjirin Persik muajin e kaluar, një veprim që shtoi shqetësimet në Uashington se Teherani po përgatitej të bllokonte Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve të Izraelit.
Përgatitjet e pa raportuara më parë, të cilat u zbuluan nga inteligjenca amerikane, ndodhën pak kohë pasi Izraeli nisi sulmin e tij të parë me raketa kundër Iranit më 13 qershor, thanë zyrtarët amerikanë.
Megjithatë, burimet nuk zbuluan se si Shtetet e Bashkuara përcaktuan se minat ishin vendosur në anijet iraniane.
Të gjitha këto veprime tregojnë se Teherani kishte nisur planin për mbylljen e një prej rrugëve më të ngarkuara të transportit detar në botë, një veprim që do të kishte përshkallëzuar një konflikt në Lindjen e Mesme dhe do të kishte penguar tregtinë globale.
I pyetur në lidhje me përgatitjet e Iranit, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha: “Falë ekzekutimit brilant të operacionit ‘Midnight Hammer’ nga presidenti amerikan, fushatës së suksesshme kundër Huthëve dhe fushatës së presionit maksimal ndaj Iranit, Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur, liria në lundrim po ashtu, dhe Irani është dobësuar ndjeshëm.”
Rreth një e pesta e dërgesave globale të naftës dhe gazit kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Irani gjithashtu eksporton pjesën më të madhe të naftës së tij të papërpunuar përmes këtij kanali.
Që nga viti 2019, Irani mbante më shumë se 5,000 mina, të cilat mund të vendoseshin me ndihmën e anijeve të vogla, sipas një vlerësimi nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes e SHBA-së.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
