Ministri i Jashtëm iranian, Abaz Aragçi, i konsideron kërkesat e SHBA-së si të paarsyeshme, teksa Washingtoni është në pritje të një përgjigjeje për propozimin për një memorandum që i jep fund luftës.

Teherani i konsideron jo-serioze propozimet e Uashingtonit për fundin e konfliktit. Ministri i Jashtëm iranian, Abaz Aragçi, ia shprehu këtë opinion homologut turk gjatë një bisede telefonike, ku akuzoi Shtetet e Bashkuara për aventura ushtarake sa herë që në tryezë paraqitet një zgjidhje diplomatike.

“Shtetet e Bashkuara duhet t’u japin fund kërkesave të tyre të paarsyeshme dhe sulmeve të jashtëligjshme nëse dëshirojnë që procesi diplomatik të ecë përpara”.

Shtëpia e Bardhë është në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga Teherani mbi propozimin për një memorandum paqeje me 14 pika, i cili synon përfundimin e luftës dhe nisjen e negociatave për fundin e programit bërthamor iranian.

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se, nëse marrëveshja nuk nënshkruhet urgjentisht, SHBA do t’i japë Iranit një goditje shkatërrimtare. Paralelisht, situata mbetet e tensionuar edhe në Liban, ku sulmet izraelite kanë shkaktuar rreth 20 viktima brenda 24 orëve, duke rrezikuar dështimin e plotë të armëpushimit të brishtë në rajon.

Tv Klan

/tvklan.al