Irani ka dhënë leje për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit të një numri cisternash irakiane të naftës, pas kërkesave të përsëritura nga Bagdadi.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit, IRNA, tha se marrja e lejes speciale për cisternat irakiane ishte një nga kërkesat kryesore të Bagdadit gjatë vizitës së kryetarit të parlamentit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf në Irak.

Presidenti irakian Nizar Amedi tha se Irani kishte lehtësuar kalimin e anijeve që transportonin naftë irakiane përmes Ngushticës në ditët e fundit.

Iraku ka qenë ndër vendet më të prekura nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani pas fillimit të luftës në 28 shkurt.

Trafiku në ngushticë mbetet dukshëm nën nivelet e paraluftës dhe anijet vazhdojnë të përballen me sulme në zonë.

Iraku prodhonte rreth 4 milionë fuçi naftë në ditë para fillimit të konfliktit në Iran.

Kryeministri irakian Ali al-Zaidi tha se Bagdadi po punon për të zgjeruar eksportet e tij përmes portit Xhejhan të Turqisë dhe gjithashtu për të filluar eksportimin e naftës përmes portit Banijas të Sirisë dhe portit Akabës të Jordanisë.

Klan News

/tvklan.al