Irani po përgatitet intensivisht për një pushtim të mundshëm tokësor nga Shtetet e Bashkuara, duke u fokusuar në ishullin strategjik të Khargut. Ky ishull është “mushkëria” ekonomike e regjimit, pasi nga ai kalon 90% e eksporteve të naftës iraniane. Teherani ka rritur prezencën ushtarake, ka vendosur sisteme të reja kundërajrore dhe ka minuar bregdetin për të penguar çdo zbarkim amfib.
Paralelisht, parlamenti iranian po harton një ligj sfidues për vendosjen e tarifave të larta për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit. Sipas propozimit, vendet armiqësore mund të detyrohen të paguajnë deri në 2 milionë dollarë për çdo ngarkesë, si taksë për “sigurinë” që garanton Irani në këtë korridor jetik për tregtinë botërore.
Ndonëse Teherani zyrtar mohon dialogun, Donald Trump deklaroi në Komitetin Kombëtar Republikan se:
“Ata janë duke negociuar dhe po bëjnë çmos për një marrëveshje, por nuk e thonë se kanë frikë se mos i vrasin në vendin e tyre, por edhe se mos i vrasim ne”, tha Trump.
Ndërsa në një postim në rrjetin social Truth, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se negociatorët iranianë po sillen në mënyrë të çuditshme, duke i paralajmëruar se duhet të veprojnë shpejt para se situata të arrijë në një pikë pa kthim.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme pakistaneze konfirmoi se vendi i tij është i përfshirë në përpjekje për ndërmjetësimin e dialogut mes palëve.
Ministri izraelit i Mbrojtjes njoftoi këtë të enjte vrasjen, gjatë bombardimeve në Teheran, të Alireza Tangsirit, kreut të njësisë detare të Gardës Revolucionare Iraniane, përgjegjës për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit.
Ndërsa Irani vazhdoi me goditjet me raketa ndaj qyteteve izraelite, si në këtë rast kur raketat ranë mbi automjete civile në një qytezë pranë Tel Avivit.
Në Abu Dabi, mbetjet e raketave iraniane të goditura në ajër nga sistemi anti-ajror vendas vranë dy persona.
Vendet e rajonit, përfshirë Emiratet, kanë njoftuar se po interceptojnë dhjetëra drone dhe raketa, duke paralajmëruar se konflikti po kërcënon stabilitetin e të gjithë Gjirit Persik.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 