Ngushtica e Hormuzit mbetet pa trafik pas të shtënave me armë zjarri nga luftanijet iraniane ndaj anijeve tregtare një ditë më parë. Shumica dërrmuese e pronarëve të anijeve të bllokuara në Gjirin Persik i kthyen ato në pozicionet e mëparshme, ndërsa kryeparlamentari iranian, i cili është edhe kryenegociator i Teheranit në bisedimet me Uashingtonin, bëri të ditur se ngushtica është rikthyer nën “menaxhim dhe kontroll të rreptë nga forcat e armatosura iraniane”.

“Nëse ka një ngushticë këtu, ne jemi këtu, dhe ata që duan të kalojnë t’i lini të kalojnë të gjithë, përveç nesh? A është kjo e mundur? Ky është gjithashtu një gabim mbi gabime. Nëse nuk e heqin rrethimin, trafiku në ngushticë do të jetë patjetër i kufizuar”.

Qalibaf pranoi përparimin e negociatave, por tha se ende ka boshllëqe të mëdha mes palëve, të cilat lidhen me Hormuzin dhe armët bërthamore.

Presidenti iranian Pezeshkian ka thënë këtë të diel se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë justifikim për ta privuar Iranin nga të drejtat e tij bërthamore.

“Trump thotë se Irani nuk mund të përdorë të drejtat e tij bërthamore, por nuk thotë për çfarë krimi. Kush është ai që t’ia heqë të drejtat një kombi?”

Edhe një zyrtar tjetër iranian, zëvendësministri i jashtëm, ka thënë se vendi i tij nuk është ende gati të zhvillojë një raund të ri bisedimesh ballë për ballë me zyrtarët amerikanë, pasi sipas tij Uashingtoni refuzon të braktisë kërkesat maksimaliste mbi çështjet kyçe.

Nga ana tjetër, presidenti Trump ka mbrojtur bllokadën amerikane në Hormuz dhe ka kërcënuar të fillojë të hedhë sërish bomba në Iran nëse nuk arrihet një marrëveshje përpara skadimit të afatit të armëpushimit.

Ndërkohë, Islamabadi duket se po qëndron në gatishmëri të çdo vendimi nga palët. Në vend janë vërejtur masa të shtuara sigurie dhe dy hotele po qëndrojnë të boshatisura nëse një raund i dytë bisedimesh SHBA–Iran vendoset për t’u zhvilluar.

Në frontin tjetër, ndonëse armëpushimi është në fuqi, ushtria izraelite njoftoi vdekjen e njërit prej ushtarëve të saj në luftime në Libanin jugor, viktima e dytë e një ushtari izraelit në rajon që kur armëpushimi hyri në fuqi të premten.

Ndërkohë, kreu i OKB-së, Guterres, ka dënuar ashpër pritën që vrau një paqeruajtës francez dhe plagosi tre të tjerë një ditë më parë në Liban.

Tv Klan

/tvklan.al