Teksa Irani po hedh hapa për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, prej nga kryhet 20% e transportit të naftës në shkallë globale, çmimet e naftës rrezikojnë t’u rikthehen niveleve të larta të arritura pas nisjes së sulmit rus në Ukrainë.
Sipas një analize të ekspertëve të bankës së madhe amerikane JP MORGAN, një fuçi nafte mund të arrijë mbi 130 dollarë, gati dyfishin e çmimit me të cilin shitet sot.
Parlamenti iranian miratoi të dielën, ndërhyrjen për të mbyllur kalimin e anijeve ndërkombëtare në këtë ngushticë, si hakmarrje ndaj bombardimeve amerikane. Vendimin përfundimtar e merr këshilli i sigurisë së Iranit, që nuk dihet se kur mund të mblidhet.
Që pas luftës në Ukrainë, vendet e Bashkimit Europian kanë rritur varësinë nga nafta dhe që eksportohet me anije përmes kësaj ngushtice, kryesisht nga Arabia Saudite, Kuvajti, Iraku e Katari.
Shqetësimin e ngriti këtë të hënë në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të BE-së edhe përfaqësuesja për politikën e jashtme të unionit Kaja Kallas.
Sipas ligjeve ndërkombëtare, Irani zotëron gjysmën e distancës prej 33 kilometrash, mes dy brigjeve në pikën më të ngushtë të Hormuzit.
Ligjërisht, Irani nuk ka të drejtë ta mbyllë këtë ngushticë, por mund të dërgojë anijet luftarake në ujërat territoriale për të kërcënuar anijet tregtare.
E nëse kjo do të ndodhë, mund të jetë flota e 5-të ushtarake amerikane e stacionuar në rajon që do i japë kundërpërgjigje, por kjo gjithsesi nuk mundëson kalimin e sigurt të anijeve tregtare botërore.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 