Përshtatur në shqip, artikull i Corriere Della Sera
16 qershor, pak para mesditës. Gjashtë raketa izraelite goditën një ndërtesë në Teheranin perëndimor. Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ishte në katet e poshtme, duke marrë pjesë në një takim të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare.
Ai shoqërohej nga kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe nga kryetari i Gjyqësorit Mohseni Ejei.
“Sulmuesit shënjestruan hyrjet dhe daljet e ndërtesës, duke hedhur gjashtë bomba për të bllokuar rrugët e arratisjes dhe për të prishur rrjedhën e ajrit”, raportoi agjencia e lajmeve Fars, e cila është e lidhur me Gardën Revolucionare. Tre burrat, duke përfshirë presidentin Pezeshkian, u plagosën në këmbë, por arritën të shpëtonin “përmes një daljeje emergjence të paracaktuar”. Pezeshkian mezi shpëtoi.
Ky informacion i ri konfirmon deklaratat e presidentit në një intervistë me gazetarin Tucker Carlson të Fox News-it, ku ai akuzoi Izraelin për tentativë vrasjeje, pa pranuar se ishte plagosur: “Ata u përpoqën, por dështuan.”
Në këtë klimë paranoje pas luftës dhe kërkimit të tradhtarëve, Mehdieh Shadmani, vajza e Ali Shadmanit, një komandant i Gardës Revolucionare i vrarë në bastisjet izraelite, pretendon në mediat sociale se gjatë atyre dymbëdhjetë ditëve të konfliktit, Mossad-i shkoi shumë përtej WhatsApp-it, gjeo-lokacionit ose spiunazhit tradicional: “Vendndodhja e babait tim ndryshonte çdo disa orë. Ai nuk mbante me vete asnjë pajisje elektronike dhe respektonte të gjitha protokollet e sigurisë.”
Ka edhe hipoteza që shkojnë deri në absurditet. Abdollah Ganji, ish-drejtor i një gazete të lidhur me Gardën Revolucionare, shkruan në X se sipas tij inteligjenca izraelite është mbështetur në shkenca okulte dhe krijesa mbi-natyrore.
Lajmet që vijnë nga Teherani lidhen me tre pika kryesore.
Së pari, konfirmojnë se Izraeli dinte se ku të gjente udhëheqje politike dhe ushtarake. Njerëzit e Netanyahut dinin jo vetëm vendet ku strehoheshin udhëheqësit, por edhe strehat e emergjencës. Në fakt, në disa raste, ata madje eliminuan pasardhësit e udhëheqësve të vrarë.
Së dyti. Është e qartë se forcat e sigurisë dhe familjet e gjeneralëve duan të kuptojnë se si ishte e mundur kjo prerja e kokave. Është interesante që vajza e Shamdanit përjashton mundësinë që telefonat celularë të jenë burimi i shkeljes. Gjithmonë ekziston dyshimi për tradhti nga dikush, një burim i vërtetë në nivelet më të larta që ia kaloi informacionin armikut. Një skenar i ngjashëm me atë që çoi në shfarosjen e udhëheqësve të Hezbollahut në Bejrut.
Së treti. Qarqet iraniane kanë tendencë, ndonjëherë për arsye të brendshme, të amplifikojnë aftësitë e Mossad-it duke përmendur metoda dhe sisteme “të mahnitshme“. Trillimi përzihet me realitetin, ndërsa inteligjenca izraelite shfrytëzon këto lidhje për të rritur imazhin e saj.
Jemi në mes të një loje pasqyrash që ka qenë pjesë e lojës së spiunazhit që nga Lufta e Ftohtë. Vetëm tani, mediat sociale dhe mediat e reja po i intensifikojnë pasqyrat.
Në kryeqytetin iranian qarkullojnë zëra për sulme të mundshme të tjera; shpërthimi në një apartament shihet si një skenë e mundshme e një vrasjeje të tjetër të synuar. Qarkullojnë emra të zyrtarëve të lartë dhe regjimi i mohon gjithçka duke shpërndarë foto të viktimës së pretenduar, se është gjallë dhe në gjendje të mirë.
Nga Izraeli përgjigjen me një rindërtim të përditësuar të vrasjes së Mohsen Fakrizadeh, organizatorit të planit bërthamor. Shënjestra, shkruan Jerusalem Post, u plagos ndërsa ishte ende brenda makinës së tij dhe pati kohë të dilte dhe të kërkonte strehim. Por një shpërthim i dytë plumbash nuk i la asnjë shans. Agjentët sekretë dyshohet se përdorën një mitraloz të prodhuar në Amerikë të modifikuar për telekomandë, një armë e fshehur brenda një kamioni të parkuar në anë të rrugës./tvklan.al
* Autorët e këtij shkrimi janë Guido Olimpio dhe Greta Privitera












Botërori 2026 
