Një video virale që po qarkullon në rrjetet sociale dhe që pretendohet se tregon momentin kur Irani rrëzon një helikopter luftarak amerikan Apache në Ngushticën e Hormuzit, është e rreme dhe duket se është krijuar me inteligjencë artificiale (AI), shkruan France 24.

Videoja u publikua më 10 qershor, një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani kishte rrëzuar një helikopter Apache të ushtrisë amerikane gjatë një misioni patrullimi. Pamjet tregojnë një ushtar që supozohet të jetë iranian duke qëlluar me një raketë kundërajrore ndaj helikopterit, i cili më pas shpërthen në ajër mes brohorimave të ushtarëve.

Megjithatë, analiza e videos zbulon disa detaje që tregojnë se pamjet nuk janë autentike. Një nga gabimet më të dukshme është se ushtari që paraqitet si pjesëtar i ushtrisë iraniane mban në shpatull një stemë me flamurin e Shteteve të Bashkuara, diçka që nuk ka kuptim…

Po ashtu, arma e përdorur në video nuk përputhet me asnjë nga sistemet portative të mbrojtjes ajrore që njihen si pjesë e arsenalit ushtarak iranian. Sipas ekspertëve, forma e raketalëshuesit, doreza dhe sistemi i shënjestrimit janë të ndryshme nga modelet që përdor Irani, si Misagh-1, Misagh-2, Misagh-3 apo Igla.

Edhe helikopteri i paraqitur në video nuk i ngjan një Apache-je të vërtetë. Atij i mungojnë disa karakteristika dalluese, si motorët anësorë me formë katrore dhe katër pikat e montimit të armëve, elemente që e bëjnë këtë helikopter lehtësisht të identifikueshëm.

Një tjetër pretendim i pavërtetë në postimin që shoqëron videon është se helikopteri i rrëzuar kishte vlerën e 1 miliard dollarëve. Në fakt, sipas dokumenteve të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, një helikopter Apache kushton mes 26 dhe 38 milionë dollarë, shumë larg shifrës së pretenduar në rrjetet sociale.

Videoja nuk përbën provë të rrëzimit të një helikopteri amerikan nga Irani, por është një material i manipuluar me inteligjencë artificiale që përmban disa pasaktësi të dukshme.