Pas 20 ditësh sulmesh intensive ajrore të koordinuara me Shtetet e Bashkuara, Izraeli pretendon se ka asgjësuar pikat kyçe të mbrojtjes dhe industrisë ushtarake të Iranit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu, gjatë një konference për shtyp, deklaroi se Teherani nuk ka më kapacitet për pasurimin e uraniumit dhe as për prodhimin e raketave balistike.

“Ne po veprojmë tani jo vetëm për të shkatërruar raketat balistike dhe programet e mbetura bërthamore, ku ka mbetur shumë pak, por edhe për të shkatërruar industritë që mundësojnë këto programe. Dhe tashmë, pas 20 ditësh, mund t’ju them që Irani sot nuk ka aftësi të pasurojë uranium dhe nuk ka aftësi të prodhojë raketa balistike. Ne po vazhdojmë çmontimin e këtyre kapaciteteve. Do t’i dërrmojmë plotësisht”.

Lufta, e cila deri më tani është zhvilluar kryesisht përmes goditjeve nga ajri, ka pasur kundërpërgjigje nga Teherani, i cili ka lëshuar raketa drejt Izraelit dhe vendeve të Gjirit, si dhe ka kufizuar kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Netanyahu la të kuptohet se sulmet mund të hyjnë në një fazë të re, duke paralajmëruar nevojën për një operacion tokësor për të arritur objektivat finale.

Sa i përket një përmbysjeje të mundshme të regjimit, ai tha se kushtet po krijohen, por vendimi u takon qytetarëve iranianë.

“Besoj se pyetja është: a do të krijohen kushtet për një ndryshim të tillë? Mendoj se është herët për ta thënë. Në fund të fundit, i takon popullit iranian ta tregojë këtë, të zgjedhë momentin dhe të ngrihet në lartësinë e duhur. Ne mund të krijojmë kushtet, por ata duhet t’i shfrytëzojnë ato. Thuhet shpesh se revolucionet nuk mund të bëhen vetëm nga ajri. Kjo është e vërtetë. Ka shumë mundësi për ndërhyrje tokësore”.

Gjatë konferencës, Netanyahu hodhi poshtë zërat se ai e ka tërhequr me detyrim Uashingtonin në këtë konflikt, duke vlerësuar autonominë e vendimmarrjes së Presidentit Trump.

/tvklan.al