Protestat antiqeveritare në Iran kanë hyrë në ditën e 10-të dhe pjesëmarrja po bëhet gjithnjë e më e madhe. Protestuesit kanë nisur të rrëzojnë edhe simbole të Republikës Islamike, ndërsa janë hedhur thirrje për rikthimin e monarkisë së rrëzuar në ’79-ën.

Protestat kundër regjimit të ajatollahëve në Iran po zgjerojnë, dita-ditës, shtrirjen dhe pjesëmarrjen. Këtë e dëshmon edhe kjo protestë në Abdanan, një qytet në perëndim të Iranit pranë kufirit me Irakun.

Pjesëmarrje masive në valën e protestave që vazhdojnë prej 10 ditësh ka edhe në qytete të tjerë.

Protestuesit po nisin të rrëzojnë monumentet e njerëzve simbol të Republikës Islamike, si në rastin e Kasem Sulejmanit, ish-kreut të Gardës Revolucionare që u vra nga trupat amerikane në 2020-ën.

Në të tjera raste monumentet janë djegur, (video 7) janë rrëzuar pllakatet me fytyrën e Ajatollahut, e janë grisur e rrëzuar flamujt me simbolet e tyre.

Në Mashad u hodhën parulla në mbështetje të trashëgimtarit të fronit mbretëror Reza Pahlavi, familja e të cilit u rrëzua në ’79-ën nga revolucioni islamik.

Në mbështetje të protestave, Riza Pahlavi u dërgoi protestuesve një videomesazh, ku i bënte thirrje që këtë të mërkurë të organizonin një tubim masiv. Megjithatë, ai nuk ka mbështetje të madhe mes iranianëve.

Protestat në Iran mbështeten edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi pak ditë më parë Teheranin se do të ndërhyjë në mbështetje të tyre nëse shtypen me dhunë, si në të kaluarën. Deri më tani flitet për 34 protestues të vrarë e mbi 2 mijë të arrestuar. Protestat nisën për shkak të zhvlerësimit drastik, me gati 40%, të monedhës kombëtare pas sulmeve 12-ditore izraelito-amerikane, verën e kaluar.

Tv Klan

/tvklan.al