Teherani përcjell shenja pozitive përballë thirrjeve për marrëveshje për fundin e konfliktit nga Uashingtoni. Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, shprehet i gatshëm për fundin e konfliktit, por presidentit të Këshillit Europian, Antonio Kosta, i përcaktoi një kusht të rëndësishëm.

“Ne kemi vullnetin për t’i dhënë fund konfliktit, me kusht që të vendosen garancitë për të parandaluar përsëritjen e sulmit.”, tha Pezeshkian.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pranoi për të parën herë se ka shkëmbyer mesazhe me të dërguarin amerikan Steve Wittkof.

“Kam marrë mesazhe të drejtpërdrejta, si më parë, nga Witkoff, por kjo nuk do të thotë se jemi në negociata. Diskutime për sigurinë po zhvillohen edhe përmes Pakistanit.”, tha ai.

Në një intervistë për Al Jazeera-n, Araghchi tha se armëpushimi është i papranueshëm, por kërkon të diskutohet vetëm fundi i luftës. Kryediplomati iranian tha se vendi i tij është gati për t’u përballur me një sulm të mundshëm tokësor nga Shtetet e Bashkuara.

Më herët, presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka konfirmuar më herët kontaktet me Iranin, në një postim në rrjetin Truth, u la aleatëve që refuzojnë të ndihmojnë SHBA-të dhe Izraelin dy rrugëzgjidhje.

“E para, blini nga SHBA-të, ne kemi me bollëk. Dhe e dyta, bëhuni pak të guximshëm, shkoni në ngushticë dhe thjesht merreni atë. Do të duhet të filloni të mësoni se si të luftoni për veten tuaj, SHBA-të nuk do të jenë më aty për t’ju ndihmuar, ashtu siç nuk ishit ju aty për ne.”, tha ai.

Deklarata e tij e fundit drejtuar aleatëve shkaktoi rritje të çmimit të naftës së papërpunuar, duke e kthyer atë pranë niveleve rekord në bursën e Londrës, 118 dollarë për fuçi.

Për sekretarin amerikan të luftës, Pete Hegseth, ditët në vijim janë vendimtare për fatin e konfliktit.

Krahas sulmeve kundër Iranit, ushtria izraelite vijon bombardimet e ashpra kundër Hezbollahut në Liban, ku numri i viktimave ka arritur në mbi 1200.

Ministri i mbrojtjes, Izrael Katz, tha se jugu i Libanit do të shndërrohet në një zonë sigurie, ku ushtria izraelite do të qëndrojë edhe pas përfundimit të luftës.

Tv Klan

/tvklan.al