Irani nuk mund të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 pasi SHBA-të, si bashkë-organizatore të turneut, kanë kryer sulme ajrore së bashku me Izraelin. Kështu deklaroi këtë të mërkurë ministri iranian i Sportit, Ahmad Donyamali.
Sulmet e SHBA-ve dhe Izraelit, kanë vrarë Udhëheqësin Suprem të Republikës Islamike, Ajatollah Ali Khamenei, duke shkaktuar një konflikt të gjerë në rajon.
“Duke qenë se ky regjim i korruptuar ka vrarë udhëheqësin tonë, nuk mund të marrim pjesë në Kupën e Botës në asnjë rrethanë,” tha ministri në televizionin shtetëror.
Kampionati botëror i futbollit, me 48 ekipe do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada nga 11 qershori deri më 19 korrik.
“Fëmijët tanë nuk janë të sigurt dhe, në thelb, nuk ekzistojnë kushte për pjesëmarrje,” shtoi Donyamali. Ai theksoi se sulmet e SHBA-ve dhe Izraelit e kanë detyruar Iranin të përballet me dy luftëra brenda tetë deri në nëntë muajve, duke vrarë mijëra njerëz.
Sipas ambasadorit të Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, mbi 1 mijë e 300 civilë iranianë janë vrarë që nga fillimi i sulmeve më 28 shkurt.
Ndeshjet e Iranit
Irani është vendosur në Grupin G me Belgjikën, Egjiptin dhe Zelandën e Re. Të tre ndeshjet e grupit janë planifikuar të zhvillohen në SHBA. Dy në Los Anxhelos dhe një në Seattle.
Irani, që dominoi kualifikimet aziatike vitin e kaluar, ishte i vetmi shtet që mungoi në takimin e FIFA-s për planifikimin e Kupës së Botës javën e kaluar në Atlanta. Nuk ka pasur reagim të menjëhershëm nga Federata e Futbollit të Iranit apo nga FIFA.
Rregullat e FIFA-s parashikojnë gjobë të paktën 250 mijë franga për çdo ekip që tërhiqet nga turneu jo më vonë se 30 ditë para ndeshjes së parë.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, më 1 mars tha: “Pas këtij sulmi ndaj Iranit, nuk mund të pritet që ne të shohim Kupën e Botës me shpresë. Nëse Kupa e Botës është kështu, kush do ta dërgonte ekipin kombëtar në një vend të tillë?”
Më herët, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, kishte deklaruar se pjesëmarrja e Iranit në Kupën e Botës do të mirëpritej nga presidenti amerikan Donald Trump, me të cilin ai u takua për të diskutuar turneun mes luftës në Lindjen e Mesme. Infantino shtoi se Trump kishte përsëritur se ekipi iranian është i mirëpritur të marrë pjesë në turneun që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Irani ishte vendi i parë që siguroi kualifikimin për Kupën e Botës.
/tvklan.al












Botërori 2026 
