Irani po refuzon pjesëmarrjen në raundin e dytë të bisedimeve në Pakistan, të parashikuara për të hënën, 20 prill, që synojnë për dhënien fund të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA, Teherani ka refuzuar pjesëmarrjen në një raund të dytë të bisedimeve të paqes për shkak të “kërkesave të tepërta të Washingtonit, pritjeve jorealiste, ndryshimeve të vazhdueshme të qëndrimeve, kontradiktave të përsëritura dhe bllokadës detare të vazhdueshme të ngushticës së Hormuzit, të cilën e konsideron shkelje të armëpushimit”.

Por agjencia amerikane e lajmeve Axios shkruan se Teherani dyshon se deklaratat e Donald Trump për një marrëveshje të mundshme mund të jenë një kurth për një sulm të papritur nga Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa nga pala amerikane zëvendëspresidenti JD Vance, së bashku me këshilltarët e Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, udhëtuan drejt Islamabadit për të zhvilluar bisedimet me iranianët, me ndërmjetësimin e Pakistanit.

Presidenti amerikan lëshoi një paralajmërim të fundit ndaj Teheranit, në rast të mos arritjes së një marrëveshjeje.

“Ne po ofrojmë një marrëveshje shumë të drejtë dhe të arsyeshme, dhe shpresoj që ta pranojnë sepse, nëse nuk e bëjnë, Shtetet e Bashkuara do të shkatërrojnë çdo termocentral dhe çdo urë në Iran. Boll më! Nëse nuk e pranojnë marrëveshjen, do të jetë nderi im të bëj atë që duhet bërë.”

Ndërkohë, Islamabadi është bërë gati për raundin e dytë. Masa të shtuara sigurie janë vënë re në qytet, ndërsa negociatat mes palëve janë parashikuar të zhvillohen në hotel Sirena, aty ku u mbajt edhe raundi i parë.

Tv Klan

/tvklan.al