Pas largimit nga Bournemouth, Andoni Iraola po nis një kapitull të ri te Liverpooli, duke sjellë me vete jo vetëm idetë e tij futbollistike, por edhe një personalitet të veçantë.
Tekniku bask nuk është nga ata që i kushtojnë shumë kohë pushimeve.
Këtë verë ai u kthye vetëm për pak ditë në Bilbao, ndërsa pjesën tjetër ia kushtoi gjetjes së një shtëpie dhe shkollave për dy fëmijët e tij.
I pyetur pse disa trajnerë baskë kanë arritur në këtë nivel, Iraola e shpjegon kështu:
“Spanja nuk ka pasur kurrë atletët më të mirë. Nëse analizoni, në not, atletikë, ata normalisht nuk fitojnë medalje. Por në sportet kolektive ata janë shumë të mirë. Në futboll, basketboll, hendboll, hokej… normalisht kanë skuadra të mira. Ne gjithmonë e vendosim ekipin në vend të parë. Një shembull është dikush si Rodri. Ai nuk shënoi dhe as nuk dha asnjë asist, por në fund ata fituan Kupën e Botës dhe ai fitoi çmimin për lojtarin më të mirë të turneut. “Ekipi është kryesori” ka qenë gjithmonë pjesë e mënyrës se si jemi rritur”, tha Iraola.
Pas largimit të Arle Slot dhe zhgënjimit në sezonin e kaluar, tashmë të gjithë sytë janë tek ai. Iraola e ka të qartë se çfarë ekipi do të formojë.
“Kryesore është që të përpiqesh të luash mirë. Mendoj se tifozët duhet të ndihen të identifikuar me atë që shohin në fushë. Në fund të fundit, njerëzit thjesht duan të shohin ekipin të luajë mirë dhe të japë rezultate të mira. E di që kjo është 90 përqind e punës sime. Për mua, tani, bëhet fjalë për krijimin e një ekipi shumë të mirë, një ekip shumë të vështirë për t’u mposhtur. Atë skuadër që e imagjinoj tani dhe nëse bëhemi ai ekip, mendoj se do të kemi sukses”, tha Iraola.
Iraola ka edhe pasione jashtë futbollit. Ai është një adhurues i çiklizmit, ndjek me interes Turin e Francës dhe vlerëson disiplinën fizike e mendore që kërkon ky sport.
Gjatë kohës në Bouremouth shfrytëzonte shpesh rrugët piktoreske për shëtitje me biçikletë dhe tashmë ka marrë rekomandime për itinerare të reja në Liverpool.
Po aq i apasionuar është edhe pas kulturës lokale. Dikur vizitor i tregjeve të Krishtlindjeve si turist, Iraola dëshiron të njohë sa më mirë qytetin dhe traditat e tij, duke u integruar në jetën e përditshme përtej fushës së futbollit.
Liverpooli ndodhet në Çikago dhe po vijon përgatitjet për një turne miqësor në SHBA.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
