Divorci nuk i ka penguar Arnold Schwarzenegger dhe Maria Shriver të ruajnë një traditë të veçantë familjare. Edhe pse kanë ndarë rrugët prej vitesh, aktori dhe ish-bashkëshortja e tij vazhdojnë t’i kalojnë Krishtlindjet së bashku, duke e kthyer këtë zakon në një moment të rëndësishëm për të gjithë familjen.
Në një intervistë për revistën “People”, Schwarzenegger tregoi se arsyeja kryesore pse vazhdojnë të mblidhen për festat është dëshira e fëmijëve për t’i pasur të dy prindërit pranë. Sipas tij, ndarja nuk duhet të jetë pengesë për të ruajtur momente të tilla familjare.
“Pavarësisht nëse je divorcuar apo jo, ne do të mblidhemi sërish bashkë”, u shpreh aktori.
Schwarzenegger dhe Shriver kanë katër fëmijë: Katherine, Christina, Patrick dhe Christopher. Ata u martuan në vitin 1986, por vendosën të ndaheshin në vitin 2011, ndërsa divorci u finalizua zyrtarisht në vitin 2021. Aktori ka gjithashtu një djalë, Joseph Baena, nga marrëdhënia me ish-punonjësen e shtëpisë, Mildred Patricia Baena.
“Familja është gjithmonë bashkë. Edhe pse jemi të divorcuar, fëmijëve u pëlqen të na shohin së bashku. Kjo është arsyeja pse vazhdojmë ta mbajmë gjallë këtë traditë”, shpjegoi ai.
Përveç bashkimit të familjes, aktori ka ruajtur edhe zakonet festive që ka marrë me vete nga fëmijëria në Austri. Ai tregoi se disa prej këtyre traditave ua ka përcjellë fëmijëve dhe tashmë po i ndan edhe me nipërit e mbesat. Schwarzenegger është gjysh i tre fëmijëve nga vajza e tij Katherine, e cila është e martuar me aktorin Chris Pratt.
Mes kujtimeve të fëmijërisë, ai veçoi pemën gjigante të Krishtlindjeve që vendosej çdo vit në shtëpinë e familjes në Austri.
“Ajo prekte gjithmonë tavanin”, kujtoi ai me nostalgji.
Sot, festa zhvillohet në shtëpinë e Maria Shriver, ku familja mblidhet rreth një peme të madhe Krishtlindjesh dhe vazhdon të ruajë atmosferën e dikurshme festive.
Marrëdhënia mes Schwarzenegger dhe Shriver duket se ka mbetur miqësore edhe shumë vite pas ndarjes. Në vitin 2025, Shriver kishte treguar për “People” se të dy vazhdonin të komunikonin, të qeshnin dhe të ndanin së bashku përjetimet që lidhen me fëmijët dhe nipërit e mbesat.
“Qeshim shumë për fëmijët tanë, nipërit e mbesat dhe për veten tonë. Jemi krenarë që kemi arritur të ruajmë kontaktet. Gati 50 vite”, ishte shprehur ajo.
Ndërkohë, Schwarzenegger do të shfaqet më 2 dhjetor në komedinë festive “Burri me çantën”, ku interpreton Babagjyshin e Vitit të Ri.
/tvklan.al












Botërori 2026 
