Ish-gruaja përballet me babain e fëmijës, njerku që po e rrit kërkon prej tij pensionin

Ish-gruaja përballet me babain e fëmijës, njerku që po e rrit kërkon prej tij pensionin

14:30 13/02/2020

“Historia ime”, në Tv Klan ka sjellë ditën e sotme historinë e 35-vjeçares Eliona Xhema. Ajo në studio ka folur për divorcin nga ish-bashkëshorti me të cilin ka një djalë, por edhe për martesën e saj aktuale me bashkëshortin Artan Xhema, me të cilin ka edhe 3 fëmijë të tjerë.

Në studio, Eliona ka rrëfyer se Artani u bë baba për djalin e saj Sokolin nga martesa e parë. Ata në studio kanë kërkuar që babai i tij biologjik të paguajë pensionin që i takon për djalin e tij.

Në një lidhje telefonike në studio babai i Sokolit, Shkëlqim Sakaj përballet me ish-gruan dhe bashkëshortin e saj, por ai pretendon se i ka paguar detyrimet e tij dhe dëshiron të takojë djalin sepse ish-bashkëshortja nuk e lejon.

Mirela Milori: Në studio kam Eliona Xhemën, që është ish-bashkëshortja juaj, ka ardhur se thotë keni një detyrim të prapambetur.

Shkëlqim Sakaj: Detyrim i prapambetur, unë s’kam kokërr leku ta paguaj. Unë çfarë më ka thënë ligji ia kam dhënë të tëra, unë s’kam se unë kam dhe familje këtu mbrapa, kam fëmijë.

Mirela Milori: Të lutem!

Shkëlqim Sakaj: Po deshi, s’deshi, shiko ia kam thënë dhe kur mbaroi gjyqi, e marr vetë çunin unë sot dhe nuk i jap kokërr leku.

Mirela Milori: Pak më ngadalë, se je në telefon zotëri dhe nuk të dëgjoj!

Shkëlqim Sakaj: Unë çunin e marr vetë. Në datën 1 Shkurt kam paguar 300 mijë lekë. Kam paguar me urdhrin e gjykatë së parë, që ka bërë Gjykata e Vlorës, çdo gjë kam bërë, i kam paguar të tëra lekët.

Mirela Milori: Pra ke paguar 300 mijë lekë, por prapë ke një sasi të papaguar.

Shkëlqim Sakaj: Nuk kam të prapambetur! S’kam asnjë të ardhur, s’kam as shtëpi, asnjë gjë!

Mirela Milori: E takon Sokolin, djalin?

Shkëlqim Sakaj: S’e kam takuar asnjëherë Sokolin, s’ma ka dhënë çunin asnjëherë ajo.

Mirela Milori: Eliona po ngre pretendimin babai i Sokolit që ti nuk ia lë djalin ta takojë?

Eliona Xhema: Të vijë ta takojë, s’ja kam ndaluar, vetëm të hedhë detyrimin të tërë siç e ka caktuar gjykata!

Shkëlqim Sakaj: Shiko, shiko unë çfarë ka dhënë gjykata, ia kam dhënë të tëra, le çfarë thotë ajo ish-gruaja ime. Ku shkuan ato lekët e mia? Lekët i kam paguar!

Eliona Xhema: Një 300 po, ka dhe 540!

Shkëlqim Sakaj: S’ka më lekë të tjera. Thuaji kështu se unë nuk e kam muhabetin fare me atë, po se mbajti çunin e marr vetë dhe le mos më japë kokërr leku mua ajo, jam i zoti e mbaj vetë. Edhe unë s’kam.

Njerku i Sokolit thotë se ai nuk mund t’ia besojë atij kujdesin e djalit kur ai nuk është kujdesur asnjëherë për të dhe kërkon që vendimi gjyqësor i vendosur të zbatohet.

Artan Xhema: Kur ai baba, nëqoftëse ishte aq i dhimbsur për fëmijën e tij, kur Sokoli ishte me temperaturë dhe me 40 e merrja unë nga 6 katëshi dhe e çoja për në spital në krahë, si unë t’i besoj atij babai ta mbajë një natë fëmijën? Absolutisht! Ai duhet të zbatojë ligjin deri në një, vendimin gjyqësor./tvklan.al

Të ngjashme

Grupi

Kallezo