Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot, 6 shkurt, në kryeqytetin e Pakistanit. Prej një sulmi me bombë brenda një xhamie, kanë humbur jetën të paktën 31 persona dhe shumë të tjerë janë plagosur.

Përmes një lidhjeje direkte nga Islamabadi për Klan News, gazetari Blendi Fevziu, dha detaje për gjithçka po ndodh aktualisht atje.

Duke shpjeguar se ai ishte vetëm 4 kilometra (në vijë ajrore) larg xhamisë ku ka ndodhur ngjarja, tha se nuk e ka ndjerë shpërthimin, megjithatë situata u bë shpejt kaotike.

“Shoqëruesi më kërkoi të ktheheshim në hotel dhe të mos vazhdonim programin. U detyrova të lë dy nga pikat e programit, më sqaroi rrugës, u mundova të afrohesha të vendi i shpërthimit për kuriozitet, por ishte e pamundur nga forcat e sigurisë”, rrëfeu Fevziu.

Sipas tij, autoritetet kanë marrë masat e nevojshme të sigurisë, duke u kërkuar të gjithë të huajve të kthehen në strukturat ku janë akomoduar.

“Pakistani nuk ka shumë turistë apo të huaj. Nuk ka ndonjë shqetësim që të thuash, se nuk është se kam qëndruar rrugëve, por është çështje që mund të krijojë probleme në Pakistan. Nuk dihet nëse vjen nga talibanët e Pakistanit apo nga grupe separatiste brenda vendit, ose Shteti Islamik. Deri tani pretendohet që është një kamikaz që jo vetëm është afruar, por ka hapur zjarr ndaj rojeve dhe ka shpërthyer te dera e xhamisë.”

Gazetari theksoi se numri i viktimave mund të rritet, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të të plagosurve.

Islamabad

“U ndje në sekondë në qytet tensioni, në rrugë, në reagimin e rojeve të sigurisë së Xhamisë së Madhe, që është më e madhja në Pakistan, dhe një prej 6 më të mëdhatë në botë.”

Më tej, ai tha se “ndihet i qetë pasi hoteli ku po qëndron ka masa të rrepta sigurie”.

“Nuk është si në vendet e tjera, gjëja është shumë më tepër e kontrolluar. Ka shumë sisteme që të pengojnë për të arritur deri te hoteli. Shoqëruesi më tha se në jetën tonë ne jemi mësuar të mbrohemi nga atentatet dhe të na ndodhin”, përfundoi gazetari.