Alma është nënë e dy fëmijëve, por djali i madh, Mateo është me spektrin e autizmit. Rritja e tij nuk ka qenë e lehtë dhe siç shprehet Alma në “Ka Një Mesazh Për Ty”, tani që ai është 19 vjeç, vështirësia ka ardhur duke u shtuar.
Në fillim të rrëfimit për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Alma tregon se djali,i cili nuk arrin të komunikojë, përjeton episode agresiviteti dhe kjo kushtëzon shumë kontaktin e tij me të tjerët apo me mjekët.
Ardit Gjebrea: Si kanë qenë këto vite për ju?
Alma: Këto vite, pas asaj traumës së parë…Adoleshenca na e ka vështirësuar shumë menaxhimin e jo vetëm situatës me Mateon, por krejt jeta lidhet pas asaj që quhet autizëm dhe djalit tonë me nevojat e veta.
Ardit Gjebrea: Cila është përditshmëria juaj tani?
Alma: Është shumë sfiduese dhe ka vite që është sfiduese dhe ka shkuar pak kreshendo problematika. Kryesorja që na ka trazuar dhe na ka sfiduar pafund ka qenë agresiviteti.
Ardit Gjebrea: Kur thua agresivitet, deri ku shkon, çfarë nënkupton?
Alma: Goditja e vetes, goditja ime, goditja e motrës, e të atit, babait tim që tani nuk jeton më që ishte shumë suport dhe afeksion i madh. Ishte bërë problematik. Raportin me doktorët e kishte zero. Një periudhë kohe pati edhe një lloj tendence të strabizmit që duhej t’i vinim syze. Na u desh të shkonim 3-4 herë për të bërë një herë vizitën, madje me një aparaturë që bëhej në distancë. Te dentisti absolutisht fare, sa herë kemi shkuar, kurrkush s’mund ta merrte përsipër, thoshte është rast që duhet qetësuar se s’të linte as ta prekje. Kështu ka qenë përvijimi i këtyre viteve.
Pikërisht në një prej këtyre episodeve, Alma u gjend përpara një situate kur u ndie thuajse pa shpresë. Mateo pati një moment nervozizmi dhe theu xhamin e lokalit ku po rrinin duke pësuar një lëndim në dorë.
Alma: Në një prej ditëve, normalisht e nxjerr sidomos kur erret se i pëlqen efekti i dritave, u bë nervoz dhe papritur, s’ma mori mendja, gjuajti me grusht xhamin e derës së lokalit, aty ku i pëlqen dhe jo vetëm që theu xhamin, por dëmtoi dorën e majtë dhe pati një hemorragji të tmerrshme që mua më tronditi. Jo vetëm që u la në gjak, por nuk më la as t’i jepja ndihmën e parë përveçse i hoqa xhamin. Ishte komplet i gërvishtur dhe më hyri hataja, thashë se mos ka dëmtuar ndonjë venë a tendinë, por sidomos venat më tronditën shumë se thashë si do të gjej ndonjë mënyrë për ta mjekuar? Tentova t’ia lidh dorën se e kisha atë kutinë e ndihmës së shpejtë dhe kur e pashë që jo vetëm që s’më la, por i tronditur edhe ai…
Në përpjekje për të gjetur zgjidhje, Alma telefonoi tezen e saj që është kryeinfermiere në Vaun e Dejës dhe ajo e drejtoi për në urgjencën e Shkodrës. Sapo mbërriti atje, ajo kërkoi ndihmë nga mjekët duke u shpjeguar situatën se gjendja ishte e vështirë. Alma i trembej refuzimit të tyre, por gjeti vetëm një gatishmëri të admirueshme që i dha shpresë.
Alma: Ashtu si ishte i larë në gjak, i vrarë e i tmerruar se dhe njerëz kishte shumë në urgjencë atë natë, e morën dhe nuk e di sesi ia kanë dalë dhe e futën te dhoma ku do t’i jepnin mjekimin. Vazhdonte rezistonte, gati më vinte për të qeshur se ta jep Zoti një lloj force në situata të tilla dhe sidomos kur shkova deri aty, thashë e solla deri këtu pa m’u fikur rrugës, do ta menaxhojnë edhe pse kisha tërë kohën atë dyshimin, po sikur të mos pranojnë ta mjekojnë? Po sikur të mos pranojnë fare e të thonë “s’kemi çfarë i bëjmë” se më kishte rënë disa herë t’i provoja këto lloj mohimesh apo mos ofrim shërbimesh kur Mateo s’ishte i qetë. Gjuante, gati i theu gishtat një kryeinfermierieje, gati ia përdrodhi gishtat, tjetrin e shtynte me bërryl, tjetrin e gjuante dhe ata të tërë silleshin. Më bëri përshtypje se në tërë atë lloj rezistence, të tërë ishin të sulmuar në njëfarë mënyre dhe e kapën, i vunë një vigon për t’i injektuar një qetësues dhe për t’i bërë qepjen e dorës.
Pasi mori djalin, Alma tregon se ndiente vetëm mirënjohje të thellë për grupin e mjekëve e infermierëve që u gjendën aty.
“U çlirova më në fund e qava rrugës se thashë o Zot faleminderit, o babi faleminderit se tani babi im është engjëll atje ku është e m’u duk se ishte dhe ai aty me mua dhe thashë faleminderit që kanë mbetur akoma njerëz”, përfundon Alma./tvklan.al