Këto pamje dëshmojnë pasojat katastrofike të motit të keq që goditi orët e fundit ishujt grekë Paros dhe Mikonos në Egjeun qëndror.

Përmbytjet e mëdha i shndërruan në lumenj të furishëm llumi e balte, ato që konsiderohen si parajsat ikonë të turizmit grek.

Situatën më të vështirë e përjetuan qytezat Nausa dhe Kolimpithres në Paros ku vërshimet e baltës mbuluan rrugët dhe paralizuan qarkullimin. Autoritetet lokale evakuuan banorët nga zonat e goditura. Të tjerëve iu bë thirrje të mos dalin nga shtëpitë deri në një urdhër të dytë. Puna u pezullua në shumë institucione publike përfshirë edhe shkollat.

Autoritetet u erdhën në ndihmë 13 banorëve në vështirësi, por deri më tani nuk ka raportime për të viktima apo të zhdukur. Vitet e fundit, Greqia është goditur nga disa përmbytje shkatërrimtare dhe me viktima si ajo e Thesalisë para dy vitesh, që sipas shkencëtarëve është pasojë e ngrohjes ekstreme të motit.

Tv Klan