Sipas një studimi të Qendrës Kërkimore Pew, Islami pritet të jetë feja me rritjen më të shpejtë në botë gjatë dekadave të ardhshme, duke ngushtuar ndjeshëm diferencën me krishtërimin, i cili aktualisht mbetet besimi fetar me numrin më të madh të ndjekësve.

Raporti analizon ndryshimet e mundshme në përbërjen fetare të popullsisë globale nga viti 2020 deri në vitin 2070.

Në studim janë përfshirë 201 shtete dhe territore, që përfaqësojnë 99.98% të popullsisë së botës, si dhe shtatë kategori fetare dhe përkatësish: myslimanët, të krishterët, hebrenjtë, hindutë, budistët dhe grupet e tjera fetare, përfshirë personat pa përkatësi fetare.

Sipas studiuesve, si popullsia myslimane, ashtu edhe ajo e krishterë pritet të rriten në numër, por myslimanët do të kenë një ritëm më të shpejtë shtimi.

Lindshmëria, një nga faktorët kryesorë të rritjes së popullsisë myslimane

Një ndër arsyet kryesore të këtij zhvillimi është niveli më i lartë i lindshmërisë në familjet myslimane. Sipas të dhënave të raportit, gratë myslimane kanë mesatarisht 3.1 fëmijë, ndërsa ato të krishtera 2.5. Për krahasim, një normë prej rreth 2.1 fëmijësh për grua konsiderohet e nevojshme për të zëvendësuar një brez me tjetrin, në kushtet e një popullsie pa migrim.

Pew vlerëson se, vetëm përmes shtimit natyror të popullsisë, komuniteti mysliman mund të fitojë rreth 1.6 miliardë banorë deri në vitin 2070. Për të krishterët, kjo rritje parashikohet të jetë rreth 792 milionë.

Më pak largime nga Islami, krahasuar me krishtërimin

Një tjetër faktor që ndikon në këto parashikime është ndryshimi i përkatësisë fetare. Sipas raportit, diferenca mes personave që pritet të ‘përqafojnë’ Islamin dhe atyre që do të largohen prej tij do të sjellë një humbje prej rreth 8 milionë personash gjatë periudhës së studiuar.

Për krishtërimin, kjo shifër parashikohet të jetë dukshëm më e lartë, me një humbje prej rreth 105 milionë personash. Një pjesë e atyre që largohen nga ky besim pritet të mos identifikohen më me asnjë fe, duke u përfshirë te ateistët dhe agnostikët.

Megjithatë, studimi thekson se rritja e parashikuar e popullsisë myslimane nuk lidhet me kalimin masiv të të krishterëve në Islam. Përkundrazi, numri i myslimanëve që pritet të konvertohen në krishtërim parashikohet të jetë pak më i lartë se numri i të krishterëve që do të përqafojnë Islamin.

Pakistani pritet të kalojë Indonezinë si vendi me më shumë myslimanë

Ndryshimet demografike do të jenë të dukshme edhe në shpërndarjen gjeografike të popullsisë fetare. Sipas Pew, pjesa më e madhe e rritjes së numrit të myslimanëve do të ndodhë në shtetet ku ata përbëjnë tashmë shumicën e popullsisë.

Në vitin 2020, myslimanët përbënin shumicën fetare në 53 shtete. Deri në vitin 2070, këto vende pritet të kenë rreth 1.2 miliardë myslimanë më shumë, duke përfaqësuar 74% të rritjes së parashikuar globale të këtij komuniteti.

Një prej ndryshimeve më të rëndësishme pritet të ndodhë në Pakistan. Popullsia myslimane e këtij vendi parashikohet të dyfishohet, nga 227 milionë në vitin 2020 në 461 milionë në vitin 2070. Kjo do ta kthente Pakistanin në vendin me numrin më të madh të myslimanëve në botë, duke kaluar Indonezinë.

Ndërkohë, në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, myslimanët parashikohet të përbëjnë 95% të popullsisë deri në vitin 2070. Në rajonin Azi-Paqësor, ata pritet të tejkalojnë numrin e personave që nuk identifikohen me asnjë fe.

Edhe krishtërimi pritet të vijojë rritjen

Pavarësisht ritmit më të ngadaltë, edhe popullsia e krishterë parashikohet të shënojë rritje në dekadat e ardhshme. Sipas raportit, shtimi do të përqendrohet kryesisht në 120 shtetet ku të krishterët përbënin shumicën e popullsisë në vitin 2020.

Në këto vende, numri i të krishterëve pritet të rritet me rreth 630 milionë, shifër që përfaqëson 92% të rritjes së përgjithshme të parashikuar të këtij komuniteti në nivel global.

Megjithatë, Pew nënvizon se këto shifra janë projeksione demografike dhe jo parashikime të sigurta.

Ndryshimet ekonomike dhe sociale, konfliktet, fatkeqësitë natyrore dhe zhvillime të tjera të paparashikuara mund të ndikojnë ndjeshëm në përkatësinë fetare dhe shpërndarjen e popullsisë në të ardhmen.


/tvklan.al