Në sfondin e përplasjeve në koalicion zëvendëskryeministri Matteo Salvini kërkon sa më shpejt zgjedhje të reja. Aleanca e populistëve në Romë është e përçarë lidhur me ndërtimin e një hekurudhe për trenat e shpejtë.

Ministri i Brendshëm i Italisë dhe njëkohësisht kryetari i partisë së djathtë Lega, Matteo Salvini, nuk sheh më të ardhme për aleancën qeverisëse me lëvizjen Pesë Yjet. Në një deklaratë thuhet, se ai i ka kërkuar kryeministrit Giuseppe Conte që: “Le të shkojmë menjëherë në Parlament, për të pranuar, që nuk ka më mazhorancë. T’ua japim fjalën sërish zgjedhësve.”

Eshtë „e pakuptimtë”, të vazhdojmë me grindjet e javëve të fundit. Shkak për krizën në koalicionin gjithsesi të përçarë u bë vota e lëvizjes „Pesë Yjet” kundër një projekti hekurudhor, të cilin e preferon Lega.

Salvini si rrjedhojë tha, se në muajt e kaluar në koalicion është „dëmtuar diҁka”. Qysh në mars aleanca qeveritare ishte në prag të dështimit për projektin hekurudhor. Por të mërkurën (08.08) konflikti arriti një nivel të ri: gjatë votimit në senat Pesë Yjet dolën kundër hekurudhës mes Lionit dhe Torinos, që mbështet nga Lega.

Salvini, që është kryeministri de facto i Italisë, gjithmonë e akuzon lëvizjen Pesë Yjet, se është bllokuese për qeverinë. Para pak ditësh ai e pati theksuar, se kush thotë jo për projektin Tav, e rrezikon qeverinë.

Prej muajsh koalicioni qeverisës në Itali është përfshirë nga grindjet: Ata nuk mund të bien dakord për autonominë e kërkuar nga Lega për disa rajone. Nga ana tjetër paga minimale e kërkuar prej Pesë Yjeve has në kundërshtimin e  Legas. Deri tani koalicioni që prej qershorit 2018 në drejtim vazhdimisht ka qenë në prag të dështimit.

Salvini qysh në fillim është konsideruar si burri i fortë i aleancës. Anketimet e shohin partinë e tij në një nivel rekord me 37 përqind. Në zgjedhjet e reja kjo parti mund të përfitonte më së shumti./DW