Ekipet e fazës finale të Botërorit 2026 u përcaktuan, por aty nuk është edhe në këtë turne Italia.

Përfaqësuesja 4 herë kampione e Botës u eliminua nga Bosnje-Hercegovina, që e mundi pas penalltive në takimin e luajtur të martën në Zenicë. 120 minuta lojë përfunduan në barazim 1 – 1.

Boshnjakët mungonin në Kupën e Botës prej vitit 2014 dhe kualifikimi në kampionatin që do të mbahet këtë verë në SHBA, Kanada dhe Meksikë ishte një motiv feste për të gjithë vendin.

Dështimi i tretë radhazi për Italinë, që u detyrua të luante me 10 lojtarë prej minutës së 41’, pasi Bastoni u ndëshkua me karton të kuq. Trajneri Gattuso kërkoi falje që nuk arriti të realizojë objektivin për të cilin u emërua disa muaj më parë.

“Ka shumë zhgënjim dhe hidhërim se si erdhi kjo humbje, duhet ta pranojmë. Më vjen keq. Do të kisha dhënë çdo gjë sot, vite nga jeta ime, para, vetëm ta arrija këtë objektiv”, tha Gennaro Gattuso, trajner i Italisë.

Gazetat kryesore sportive në Itali kishin thuajse të njëjtin titull: “Të gjithë në shtëpi”.

Nga zona europiane u kualifikuan edhe Suedia, Turqia dhe Çekia. Play-off interkontinentale vendosën që një vend në Kupën e Botës 2026 e arritën edhe Iraku dhe Republika Demokratike e Kongos.

Botërorin, që do të nisë më 11 qershor dhe do të zgjasë deri më 19 korrik, do ta ndiqni ekskluzivisht në TV Klan.

/tvklan.al