Ankth dhe frikë pas karantinës

Quhet sindroma e kasolles, rreziku që pas karantinës të zhvillohen psikopatologji dhe çrregullime të ndryshme, si ankthi, pagjumësia apo luhatje të humorit e temperamentit. Shoqata e Psikiatërve Italianë ka ngritur alarmin, duke thënë se janë mbi një milionë njerëz në vendin fqinj që i tremben kthimit në normalitet.

Një numër i madh individësh kanë vështirësi t’i kthehen jetës që kishin para mbylljes, të dalin nga shtëpitë apo streha që i mbajti të sigurtë nga virusi Covid-19.

Specialitet e krahasojnë me gjendjen psikologjike që kaploi amerikanët pas sulmit të kullave binjake. Ndjenja e pasigurisë për jetën dhe të ardhmen, sipas tyre, ka kapluar një pjesë të madhe të popullsisë. Por është një reagim normal, i zakonshëm edhe për njerëzit më të ekuilibruar nga pikëpamja psikike, pasojë e situatës së jashtëzakonshme.

Por nëse këto shqetësime zgjasin më shumë se tre javë, gjendja përkeqësohet. Shqetësimi për situatën ekonomike dhe pasiguria e punës, me kalimin e kohës rrit çrregullime mendore, të tilla si depresioni e paniku.

Tv Klan