Në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe sulmeve të vazhdueshme izraelite në rajon, marrëdhëniet mes Sirisë dhe Libanit po hyjnë në një fazë të re bashkëpunimi diplomatik dhe institucional, me synimin për të stabilizuar kufijtë, për të rritur koordinimin politik dhe për të adresuar çështjet e sigurisë dhe ekonomisë mes dy vendeve.
Ky afrim vjen në një moment kyç pas ndryshimeve të mëdha politike në Damask, ku rënia e regjimit të Bashar al-Assad në fund të vitit 2024 hapi një periudhë të re tranzicioni. Me ardhjen në pushtet të presidentit të ri Ahmed al-Sharaa, Siria ka ndryshuar qasjen ndaj fqinjëve të saj, duke theksuar se dëshiron marrëdhënie të bazuara në sovranitet të ndërsjellë dhe jo më në ndikim politik apo ushtarak mbi Libanin.
Një nga sinjalet më të qarta të këtij ndryshimi është vizita e fundit e kryeministrit libanez Nauaf Salam në Damask, e cila shënoi vizitën e tij të dytë zyrtare brenda një periudhe të shkurtër. Takimet u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme, përfshirë menaxhimin e kufirit, çështjen e të burgosurve sirianë në Liban dhe koordinimin për kthimin e refugjatëve.
Në qendër të diskutimeve mbetet edhe çështja e më shumë se 2,000 të burgosurve sirianë në burgjet libaneze, shumë prej të cilëve janë mbajtur në qeli për vite pa gjyq, për shkak të krizave institucionale dhe bllokimeve politike në sistemin e drejtësisë së Libanit. Disa prej tyre janë transferuar tashmë në Siri, por qindra të tjerë mbeten ende në paraburgim.
Sipas analistëve, Siria tanimë po përpiqet të vendosë një qasje më pragmatike në marrëdhëniet me Bejrutin, duke u fokusuar fillimisht në sigurinë kufitare dhe luftën kundër rrjeteve të kontrabandës. Ndërkohë, Libani po kërkon stabilizim të brendshëm dhe ulje të tensioneve që lidhen me praninë e refugjatëve dhe ndikimet e konflikteve rajonale.
Një çështje tjetër e ndjeshme mbetet roli i Hezbollahut, i cili për vite me radhë ka qenë i lidhur ngushtë me regjimin e mëparshëm sirian dhe me Iranin. Me ndryshimet politike në Damask, rrugët e furnizimit dhe bashkëpunimit ushtarak janë ndërprerë ose kufizuar ndjeshëm, duke krijuar një realitet të ri strategjik në rajon.
Në të njëjtën kohë, të dyja vendet ndajnë shqetësime për sigurinë rajonale dhe për sulmet e vazhdueshme të Izraelit në territoret e tyre, megjithëse kjo temë ende nuk është vendosur në mënyrë të drejtpërdrejtë në agjendën zyrtare të negociatave mes Damaskut dhe Bejrutit.
Në tërësi, marrëdhëniet mes Sirisë dhe Libanit po kalojnë nga një histori e gjatë tensioni në një fazë më bashkëpunuese, ku të dyja shtetet po përpiqen të risshikojnë rolet e tyre.
/tvklan.al












Botërori 2026 
