“Lufta e Dymbëdhjetë Ditëve” e Izraelit në Iran do të studiohet për vite. Ky ishte konflikti i parë pa kufij të qartë, një fushatë ajrore në distancë 1 mijë e 500 km që i mundësoi avionëve izraelitë të dominonin hapësirën ajrore dhe të godisnin lirshëm në të gjithë Iranin.
Suksesi i këtij modeli bazohet në organizimin, trajnimet dhe supreminë teknologjike, ku inteligjenca artificiale luajti një rol kyç.
Po ashtu, inteligjenca në terren ishte vendimtare, me një “legjion të huaj” agjentësh të Mossad-it të infiltruar në qytetet iraniane, që jo vetëm mblodhën informacione, por ekzekutuan atentate të synuara dhe asistuan njësitë speciale në sulmet kundër radarëve dhe sistemëve të mbrojtjes ajrore, duke hapur rrugën për goditjet ajrore.
Ky metodë i ngjan strategjive ukrainase të përdorura në sulmet ndaj aeroporteve ruse, duke përdorur pak agjentë për rezultate strategjike maksimale.
Që nga dita e dytë, satelitët, avionët spiun Oron dhe dronët Heron monitoruan vazhdimisht Iranin, duke kapur komunikime dhe lëvizje, dhe duke sinjalizuar objektivat për sulmet ajrore apo veprimet e agjentëve.
Megjithatë, pas rreth 48 orësh operacion intensiv, mjetet dhe personeli nisën të konsumoheshin, ndërsa armëpushimi i mëvonshëm ndaloi përfundimin e goditjeve dhe detyroi evakuimin e spiunëve për t’i shpëtuar arrestimeve nga pasdaranët.
Sipas vlerësimeve, rreth 1 mijë e 200 objektiva janë shkatërruar, duke dëmtuar 60% të kapaciteteve ushtarake iraniane.
Megjithëse programi bërthamor është pezulluar me dëme të rëndësishme, rreth 400 kg uranium i pasuruar mbeten ende në duart e Teheranit.
Lufta me raketat balistike të Iranit tregoi se nga 500 raketa të lëshuara, 50 depërtuan mbrojtjen dhe 8 shkaktuan viktima, ndërkohë që infrastruktura e rëndësishme si rafineria e Haifës u dëmtua.
Mbrojtja izraelite shpalli eliminimin e 65% të lëshuesve balistikë dhe neutralizoi 800-1000 raketa para përdorimit, ndërsa dronët iranianë u rrëzuan masivisht, mbi 2 mijë prej tyre.
Forcat iraniane pësuan humbje të mëdha në infrastrukturë dhe organizim, duke çuar në panik dhe dezertim të ushtarëve, çka detyroi autoritetet të kërcënojnë me dënime ekstreme. Megjithatë, një arsenal i konsiderueshëm mbetet aktive, me rreth 200 lëshues raketash dhe 1 mijë raketa të tjera.
Në aspektin gjeopolitik, Izraeli ka shmangur publikimin e dëmeve mbi avionët rusë në Iran, ndoshta për të mos prekur teknikët rusë, dhe e ardhmja e forcës ushtarake iraniane do të varet nga mbështetja e Moskës.
Megjithë fuqinë e jashtëzakonshme të Izraelit, ky konflikt pa kufij dhe pa fund të qartë mund të bëhet sfidë e madhe edhe për forcat e tij ushtarake.
/tvklan.al












Botërori 2026 
