Ekzekutohet në zemër të Teheranit, lideri politik në arrati i Hamasit, Ismail Hanije. 61-vjeçari u ekzekutua në rezidencën e tij në Teheran nga një sulm preciz me raketa të ushtrisë izraelite. Lideri politik i Hamasit që jeton në arrati në Katar ndodhej në kryeqytetin iranian, i ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri të Iranit Masud Pezeshkian.

Teherani zyrtar e konfirmoi se Hanije mbeti viktimë e një sulmi me raketa nga Izraeli. Ajatollahu Ali Kamenei paralajmëroi se Izraeli do të paguajë një çmim të shtrenjtë pasi vrasja e liderit politik të Hamasit ishte kapërcim i një vije të kuqe. Presidenti Pezeshkian që mori të Dielën, postin e lënë vakant pasi pararendësi i tij Ebrahim Raisi humbi jetën më një aksident ajror në Maj, tha se Irani do ta bëjë Izraelin të pendohet.

Ekzekutimi ndodhi vetëm pak orë pas një tjetër sulmi të koordinuar me Uashingtonin në Bejrut ku u vra Fuad Shukr, këshilltar i lartë i Hasan Nasrallahut, liderit të Hezbollahut, milicisë libaneze që ashtu si Hamasi, mbështetet nga Garda Revolucionare Iraniane. Vrasja e eksponentit të Hezbollahut ishte hakmarrje e Izraelit për sulmin në lartësitë Golan të shtunën, ku humbën jetën 12 fëmijë dhe të rinj.

Tv Klan