Në Liban vijojnë tensionet dhe pasojat e konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë vijuar kontrollet mes rrënojave të një ndërtese në periferinë jugore të Bejrutit, e goditur një natë më parë nga një sulm ajror izraelit.

Sulmi shënoi goditjen e parë të kryeqytetit libanez nga Izraeli që pas armëpushimit të arritur muajin e kaluar me Hezbollahun.

Ushtria izraelite deklaroi se objektivi i operacionit ishte një komandant i forces elitare “Radwan”, krahu ushtarak i Hezbollahut që vepron në jug të Libanit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz e konfirmuan operacionin përmes një deklarate të përbashkëtt, duke e cilësuar atë si një veprim kundër strukturave ushtarake të Hezbollahut.

Mediat izraelite raportuan se komandanti mbeti i vrarë, por deri tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar as nga ushtria izraelite dhe as nga vetë Hezbollahu.

Pamjet nga periferia jugore e Bejrutit treguan ndërtesa të shembura, automjete të demtuaraa dhe ekipe emergjence që punonin mes rrënojave në kërkim të të mbijetuarve.

Banorët e zonës raportuan për shpërthime të fuqishme që tronditën kryeqytetin gjatë natës. Ndërkohë, sulmet izraelite vijuan edhe në jug të Libanit.

Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit, përplasjet mes palëve nuk kanë pushuarr. Ministria libaneze e Shëndetësisë deklaron se mbi 2 mijë e 700 persona janë vrarë në territorin libanez që nga 2 marsi.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite akuzon Hezbollahun për lëshimin e qindra raketave dhe dronëve drejt Izraelit gjatë muajve të fundit. Autoritetet izraelite bëjnë të ditur se 17 ushtarë janë vrarë në operacionet në jug të Libanit, ndërsa dy civilë kanë humbur jetën në veri të Izraelit si pasojë e sulmeve ndërkufitare.

Klan News

/tvklan.al