Izraeli hap një front të tretë lufte kundër militantëve pro-iranianë. Pasditen e kësaj të Diele, avionët luftarakë izraelite bombarduan edhe pozicionet e militantëve të grupit jemenit Huthi, aleat i Hezbollahut dhe Hamasit.

Në shënjestër pasditen e kësaj të Diele ishin portet dhe centralet e energjisë në qytet Ras Isa dhe Hodeidaj, që dyshohet se përdoreshin si baza nga militantët e Huthit. Bombat izraelite shkaktuan shpërthime të mëdha. Sulmet u konfirmuan edhe nga zëdhënësit e organizatës jemenite, të cilët thanë se mbështetja e tyre për rezistencën ndaj Izraelit nuk do të ndalet. Ministri i mbrojtjes Joav Galant tha se mesazhi i sulmeve të fundit ishte i qartë se asnjë vend nuk është shumë larg.

Paralelisht, bombat izraelite nuk u ndalën këtë të Diel as në Liban. Në shënjestër ishte sërish lagja Dahideh në jug të Beirutit, aty ku të Premten humbi jetën edhe kreu i Hezbollahut Hasan Nasrallah. Sipas të dhënave më të fundit, në atë sulm veç Nasrallahut u ekzekutuan 20 eksponentë të grupit pro-iranian.

Mediat izraelite hedhin dyshime që shpërthimet nuk ishin shkaktare të drejtpërdrejta të vdekjes së Nasrallahut. Kreu i Hezbollahut ndodhej në një bunker të sigurt, por ai humbi jetën nga asfiksia, pasi bombat i shkatërruan të gjitha hyrjet e vendstrehimit dhe se ai qëndroi gjatë në agoni para se të ndërronte jetë. Sipas Reuters, trupi i tij është gjetur, ndërsa ceremonia mortore do të mbahet të Hënën.

Irani ka paralajmëruar hakmarrje për këto ngjarje, ndërsa si mundësi po shihet edhe dërgimi i ushtarëve iranianë në Liban, si kundërpërgjigje ndaj një ndërhyrjeje të pritshme tokësore nga Izraeli në jug të Libanit.

Tv Klan