Sulmet izraelite në Liban kanë vijuar me intensitet këtë të martë, pavarësisht dakordësisë së arritur të hënën për një armëpushim të pjesshëm, të ndërmjetësuar nga Donald Trump.

Izraeli goditi sot qytetin strategjik të Nabatieh-it, duke shkaktuar të paktën tetë të vrarë, mes të cilëve punonjës në një çerdhe bimësh dhe civilë në zonat e Toul e Ansar.

Si kundërpërgjigje, Hezbollahu shënjestroi tanket izraelite në qytezat e Haddatha dhe Bayada me raketa e artileri.

Ndërhyrja telefonike e Donald Trumpit, të hënën ishte vendimtare për të ndalur planin e Benjamin Netanyahut për një sulm shkatërrues ndaj Bejrutit, duke kërkuar tërheqjen e trupave që ishin në lëvizje drejt kryeqytetit.

Megjithatë, marrëveshja po përballet me presion të brendshëm të fortë. Partneri ekstremist në koalicionin qeveritar, Itamar Ben-Gvir, ka kundërshtuar hapur armëpushimin, duke kërkuar vazhdimin e luftës deri në shkatërrimin total të Hezbollahut.

Armëpushimi në Liban mbetet kushti kryesor i Teheranit për të pranuar një marrëveshje përfundimtare për fundin e luftës me Shtetet e Bashkuara, duke e bërë fatin e kufirit verior të Izraelit çelësin e paqes në të gjithë rajonin.

/tvklan.al