Izraeli ka rënë dakord të rifillojë bisedimet për një marrëveshje armëpushimi në Gaza, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, Katarit dhe Egjiptit.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tha në një deklaratë  se një ekip negociator do të dërgohet më 15 gusht  ose në Doha ose në Kajro për të përmbyllur hollësitë për zbatimin e marrëveshjes”.

Rifillimi i bisedimeve është pjesë e përpjekjeve  të tre liderëve  të Katarit, Egjiptit dhe SHBA-së për të nisur bisedimet, me frikën në rritje për një konflikt të mundshëm më të gjerë në rajon që përfshin Iranin pas vrasjes së anëtarëve të lartë të grupeve militante Hamas dhe Hezbollah.

Kritikët e kryeministrit Netanyahu e akuzojnë atë për bisedime të ngadalta për t’i dhënë fund luftës në Gaza, e cila filloi më 7 Tetor, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1200 njerëz në Izrael dhe morën peng 250 veta. Kundërsulmi i Izraelit në Gaza që atëherë ka lënë pas vetes rreth 40,000 të vrarë.

Pavarësisht raundeve të shumta bisedimesh, sfida e arritjes së një armëpushimi dhe marrëveshjes për lirimin e pengjeve deri më tani ka rezultuar e pasuksesshme.

Klan News