Izraeli njoftoi këtë të mërkurë se ka vrarë ministrin e inteligjencës së Iranit, Esmail Khatib, në sulmin e dytë ndaj një figure të lartë udhëheqëse brenda dy ditësh.
Ministri i mbrojtjes i Izraelit tha gjithashtu se kryeministri Benjamin Netanjahu ka autorizuar ushtrinë të shënjestrojë çdo zyrtar të lartë iranian që mund të gjejë. Vrasja e Khatib vjen pas eliminimit të kreut të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, për të cilin lideri i ri suprem Moxhtaba Khamenei u zotua të hakmerret. Në një deklaratë të shkruar të publikuar për mediat, ai thotë se vrasësit e tij do ta paguajnë shumë shpejt.
Ndërkohë, gjatë ditës, ushtria izraelite goditi fushën iraniane të gazit Pars në sulmet e para të raportuara ndaj infrastrukturës energjetike iraniane në Gjirin Persik.
Parsi është sektori iranian i depozitës më të madhe të gazit natyror në botë, të cilën Irani e ndan me Katarin përtej Gjirit.
Ushtria amerikane gjithashtu goditi edhe zona përgjatë vijës bregdetare në ngushticën e Hormuzit, për të ulur rrezikun ndaj transportit ndërkombëtar detar.
Komanda Qendrore e SHBA-ve tha se forcat amerikane përdorën me sukses municione të shumta shkatërruese bunkerësh.
Ndërsa Irani ndërmori një sërë sulmesh hakmarrëse, duke shënjestruar Tel Avivin me raketa që mbanin bomba thërrmuese.
Sulmet vranë dy persona në një lagje pranë Tel Avivit me popullsi të dendur, ku ka edhe objekte të rëndësishme ushtarake.
Izraeli akuzon Iranin se po lëshon në mënyrë të përsëritur bomba thërrmuese me përmbajtje bërthamore, të cilat shpërndahen në eksplozivë të shumtë në ajër dhe përhapen në një zonë të gjerë, duke i bërë ato të vështira për t’u kapur.
Irani shënjestroi sërish ambasadën amerikane në Bagdad dhe një bazë ushtarake australiane në Emiratet e Bashkuara.
Njëkohësisht, Izraeli vijon edhe shënjestrimet ndaj Hezbollahut në Liban, duke shkatërruar ndërtesa apartamentesh në sulmet ajrore më intensive në kryeqytetin libanez në dekada.
Të paktën 12 persona u vranë këtë të mërkurë, duke e çuar numrin në total të viktimave në mbi 900, ndërkohë që mbi 800 mijë persona janë detyruar të zhvendosen nga banesat e tyre.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
