Spikerja e televizionit shtetëror iranian, duke denoncuar agresionin e regjimit sionist kundër Republikës Islamike, papritur ndërpritet kur raketa izraelite godet ndërtesën e televizionit. Spikerja përpiqet të vazhdojë, por më pas detyrohet të largohet, ndërsa në sfond dëgjohet në farsi: “Zoti është i Madh” dhe “Dil jashtë”.

Izraeli e zgjeroi sulmin ndaj Iranit të hënën dhe, përveç selisë së televizionit shtetëror, urdhëroi banorët të largoheshin nga një pjesë e Teheranit, ndërsa konflikti izraelito-iranian hyri në ditën e katërt.
Ushtria izraelite po sulmon një gamë më të gjerë objektivash, duke përfshirë objektet energjetike dhe qendrat e komandës ushtarake.

Viktimat mes civilëve janë rritur nga të dyja palët, dhe Izraeli duket se po vepron me besim për të shkatërruar infrastrukturën bërthamore dhe ushtarake të Iranit.

Herët të hënën, Izraeli sulmoi selinë e Forcës elitare Quds të Iranit në Teheran. Ushtria izraelite publikoi më vonë një njoftim në mediat sociale duke u bërë thirrje qytetarëve të verilindjes së Teheranit të largohen menjëherë nga ajo pjesë e qytetit.

Irani vazhdoi të kundërpërgjigjet, duke lëshuar breshëri raketash balistike drejt Izraelit. Gjithashtu, ushtria iraniane iu bëri thirrje civilëve të largohen nga Tel Avivi. Raketat iraniane goditën disa qytete izraelite herët të hënën, duke vrarë të paktën tetë vetë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Këtu fiksohet nga kamerat e sigurisë çasti kur një raketë iraniane godet qytetin Petah Tikva të hënën. Një zëdhënës i policisë tha se tre vetë u vranë në sulm dhe 30 të tjerë u plagosën. Pamjet me dron treguan shkallën e dëmit.

Një raketë iraniane goditi mbrëmjen e së hënës në Izraelin Qendror, qytetin Bnei Brak. Pamjet e filmuara me dron treguan dëme të mëdha në disa ndërtesa apartamentesh.

Që prej të premtes, kur Izraeli filloi sulmet, janë vrarë të paktën 224 vetë në Iran, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të vendit, dhe janë plagosur mbi 1,400 të tjerë. Në Izrael, qeveria tha se të paktën 24 vetë, të identifikuar si civilë, janë vrarë dhe afërsisht 600 janë plagosur.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se forca ajrore ka nën kontroll hapësirën ajrore mbi kryeqytetin iranian, Teheran, duke vendosur superioritetin ajror. Netanyahu foli gjatë një vizite në bazën ajrore Tel Nof, ku u takua me pilotë dhe i përgëzoi ata për punën e tyre në ofensivën e Izraelit kundër Iranit.

Deklaratat e udhëheqësve izraelitë tregojnë vendosmërinë për ta vazhduar luftën dhe ka pasur thirrje që SHBA-ja të bashkohet. Ndërsa Irani ka sinjalizuar gatishmërinë për t’i dhënë fund luftës dhe për të rifilluar bisedimet bërthamore. Ky mesazh, sipas gazetës “Wall Street Journal”, i është përcjellë nëpërmjet ndërmjetësve arabë si Izraelit ashtu dhe Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, për të rritur presionin, Ministria e Jashtme iraniane tha se parlamenti po përgatit projektligjin për t’u larguar nga Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore.

Një sinjal të tillë e konfirmoi presidenti amerikan Donald Trump të hënën në fillim të një takimi me kryeministrin kanadez Mark Carney. “Irani dëshiron të flasë për uljen e tensioneve me Izraelin dhe duhet ta bëjë këtë menjëherë, para se të jetë tepër vonë,” tha Presidenti. Ai ndodhet në Kanada për të marrë pjesë në samitin e udhëheqësve të G7-s.

“Nëse Presidenti Trump është i sinqertë në lidhje me diplomacinë dhe i interesuar për të ndaluar këtë luftë, hapat e mëtejshëm janë të rëndësishëm,” tha ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, në X. Të hënën, presidenti iranian Masoud Pezeshkian vuri në dukje se negociatat u ndërprenë nga sulmet izraelite.

Pavarësisht luftës, jeta vazhdon në Teheran. Pronarët e dyqaneve në këtë treg thanë se nuk kanë asnjë plan për t’u larguar nga qyteti. “Jemi këtu dhe nuk do të shkojmë askund. Ata që duhet të largohen, janë izraelitët,” tha Mehdi Torkpoor.

Klan News

/tvklan.al