Komisioni i Përzgjedhjes në SPAK, në mbledhjen e sotme, 26 nëntor, në prani të përfaqësuesve të ICITAP dhe Bashkimit Europian, vendosi t’i rekomandojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për emërim, në pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Ketën, për një mandat 5-vjeçar.

Ky vendim erdhi me përfundimin e procesit të vettingu-t dhe kontrollit të pastërtisë së figurës për kandidatët për Byronë Kombëtare të Hetimit. Rezultatet iu dërguan më herët komisionit që përbëhet nga Altin Dumani, si kreu i SPAK-ut, Arben Kraja dhe Behar Dibra.

Në garë ishin shtatë kandidatë Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.

Tanimë, pritet që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të japë dritën jeshile.

Byroja Kombëtare e Hetimit, institucioni që mbështet me hetues Prokurorinë e Posaçme u drejtua për 5 vite nga Aida Hajnaj, e cila mbaroi mandatin e saj më 31 gusht.

Pozicioni mbeti vakant deri më tani, për shkak të vonesave në përfundimin e procesit të verifikimit. Vonesa që lidheshin me pritjen për mbërritjen e të gjitha dokumenteve të nevojshme nga institucionet e ndryshme.