James Peter Covey ishte deshmitari i radhës i thirrur në Hagë, lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ky dëshmitar e mban kodin 1DW004 në këtë proces gjyqësor dhe sipas trupit gjykues, dëshmia e tij pritet të zgjasë dy deri në tre ditë. Covey është dëshmitar i thirrur nga mbrojtja e Thaçit. Vetë dëshmitari tha se njihet edhe si Jock Covey.

Covey deklaroi në Hagë se Hashim Thaçi nuk ishte shef i Agim Çekut dhe se asnjërin nuk e ka parë duke i dhënë urdhra njëri-tjetrit.

Aitha se ata silleshin në mënyrë korrekte me njëri-tjetrin e po ashtu edhe me rezerva.

“Sipas asaj që kam parë ata silleshin në mënyrë korrekte me njëri-tjetrin. Nuk më kujtohet nëse kanë shkëmbyer fjalë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sigurisht që nuk e kam parë asnjëherë njërin që të jepte urdhër ose udhëzime tjetrit. Dukej sikur silleshin me rezerva njëri me tjetrin”, tha ai.

Më tej, Covey deklaroi se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë i njohur si UNMIK, nuk e ka trajtuar Hashim Thaçin si komandant.

“Unë flas në emër të UNMIK-ut. UNMIK-u nuk e ka trajtuar atë si komandant”, tha ai.

Dëshmitari u pyet se gjatë kohës që ka shërbyer në Kosovë, kur mendon se ka përfunduar konflikti në mes UÇK-së dhe forcave serbe.

“Sipas nesh, konflikti përfundoi me marrëveshjen që serbët të tërhiqen që më duket së është nënshkruar me datën 20 qershor. Nuk më kujtohet thjesht, por ekziston dokumenti. Zbatimi i këtij dokumenti i dha formë zyrtare përfundimit të këtij konflikti”, tha Covey.

/tvklan.al