Ministri japonez i Mbrojtjes, Gen Nakatani, zhvilloi të martën një vizitë zyrtare në Ankara, ku diskutoi mbi bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe mundësinë e blerjes së dronëve të prodhuar në Turqi.

Vizita vjen në një kohë kur Japonia po zgjeron përdorimin e sistemeve të pa pilotuara në forcat e saj tokësore, ajrore dhe detare.

Nakatani është ministri i parë japonez i Mbrojtjes që viziton zyrtarisht Turqinë, një vend anëtar i NATO-s që synon të zgjerojë lidhjet ekonomike dhe ushtarake përtej Evropës dhe Lindjes së Mesme.

Sipas burimeve diplomatike në Ankara, bisedimet mes dy ministrave u fokusuan në mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit për pajisje dhe teknologji mbrojtëse, si dhe në rritjen e kontakteve mes Forcave të Armatosura Turke dhe Forcave Japoneze të Vetëmbrojtjes.

Gjatë vizitës, Nakatani pritet të ndalet edhe në Stamboll ku do të inspektojë kompani dhe objekte të industrisë së mbrojtjes, përfshirë Turkish Aerospace Industries (TUSAŞ), kantieret detare dhe kompaninë e njohur të dronëve Baykar. Zyrtarë turq theksuan se në fokus do të jenë inspektimet dhe shkëmbimi i eksperiencës, por një marrëveshje konkrete për blerje nuk pritet ende.

Turqia ka furnizuar me dronë disa vende, përfshirë Ukrainën, ndërsa Japonia po shqyrton opsione të ndryshme, mes tyre edhe dronët turq, për të zgjeruar kapacitetet e saj ushtarake.

Pas takimit, ministri turk i Mbrojtjes, Yaşar Güler, deklaroi se Ankaraja dëshiron të thellojë bashkëpunimin ushtarak dhe në industrinë e mbrojtjes me Japoninë.

Vizita e Nakatani-t në Turqi është pjesë e një turi rajonal nga 17 deri më 22 gusht, që përfshin gjithashtu ndalesa në Xhibuti dhe Jordani./tvklan.al