Jasir Asani dërgon sinjale pozitive për trajnerin Rolando Maran, teksa vijon të shkëlqejë në Champions-in aziatik, duke konfirmuar formën e mirë me fanellën e Esteghlal.
Sulmuesit shqiptar i mjaftuan vetëm pesë minuta në fushë për të gjetur rrugën e rrjetës në fitoren 2-1 ndaj Al Gharafa.
Asani nuk ishte përzgjedhur në formacionin titullar për këtë sfidë, por trajneri vendosi ta aktivizonte në minutën e 32-të. Përgjigjja e futbollistit shqiptar ishte e menjëhershme.
Vetëm pesë minuta pas hyrjes në fushë, Asani realizoi një gol spektakolar, pas një aksioni tipik nga krahu i djathtë.
Sulmuesi lëshoi një goditje të fuqishme me të majtën, duke e dërguar topin poshtë traversës dhe duke lënë të shtangur portierin kundërshtar.
Ky ishte goli i dytë i Asanit në këtë edicion të Champions-it aziatik, ku shqiptari po tregon vazhdimësi dhe një formë të mirë në repartin ofensiv.
Paraqitjet e tij me klubin e bëjnë edhe më të diskutueshëm faktin se sulmuesi nuk u preferua nga trajneri Maran në grumbullimin e fundit të Kombëtares shqiptare.
Pavarësisht se në Azi vijon të shënojë dhe të bëjë diferencën, Asani mbetet jashtë planeve të trajnerit kuqezi.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
