Fillimi i javës do të jetë me mot të kthjellët dhe me diell, ndërkohë që dita e mërkurë pritet të sjellë reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit.

“Dita e mërkurë do t’i ketë vranësirat e dendura prezente, kemi rritje të lagështirës në ajër, çka do të bëjë që të kemi prezente reshjet e shiut. Më të dukshme reshjet priten të jenë në zonat veriore dhe në skajin jugor. Ndërsa në zonat qendrore, reshjet e shiut do të jenë në sasi më të pakëta. Në veri dhe në jug, herë pas here në zonat e izoluara, do të ketë nivele reshjesh të izoluara shiu.

Për sa i përket pjesës tjetër të javës, dita e enjte dhe dita e premte do të sjellin ndryshim të dukshëm të kushteve të motit, duke bërë që dita e enjte dhe të paktën deri në mesditën e ditës së premte të kemi një dominim të intervaleve të gjata me diell dhe kalime të gjata të vranësirave. Pjesa e dytë e ditës së premte shton vranësirat, duke bërë që në orët e vona të mbrëmjes, kryesisht në skajin verior, të kemi edhe momente të pakta me reshje të izoluara shiu”, tha sinoptikani Hakil Osmani.

Vlerat maksimale të temperaturave të ajrit gjatë kësaj jave do të arrijnë deri në 26 gradë Celsius, me përjashtim të të mërkurës që do të ulen për shkak të reshjeve.

“Pritet një rënie e temperaturave të ajrit ditën e mërkurë, kur kemi prezente edhe reshjet e shiut.”

Parametri i erës do të jetë problematik vetëm në mes të javës, duke arritur shpejtësinë 50 km në orë.

Klan News

/tvklan.al