Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka “vullnet dhe gatishmëri” mes partisë së tij Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja të vendit gjatë javës së ardhshme.
LVV-ja dhe LDK-ja pritet t’i rifillojnë bisedimet që ishin pezulluar muajin e kaluar për shkak të një votëbesimi brendapartiak të cilit i mbijetoi këtë javë lideri i partisë opozitare, Lumir Abdixhiku në kuvendin e LDK-së.
Gjatë kuvendit partiak të LDK-së ishte arritur pajtueshmëri që të bashkëpunohej me partinë me VV-në për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
VV që i fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, mori 53 mandate deputetësh ndaj ka nevojë për një marrëveshje me opozitën për t’u siguruar që vendi do të ketë president të ri, dhe kështu t’i japë fund krizës së gjatë politike e institucionale.
Duhen të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re. Për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nevojitet prania e 80 deputetëve në sallën e Kuvendit me 120 vende që votimi të jetë i vlefshëm.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Në rast se vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025.
/tvklan.al












Botërori 2026 