Irani është përfshirë nga vala më e madhe e protestave në vite, por këtë herë revolta nuk ka nisur nga kërkesat për liri sociale si shamia (hixhabi), por nga uria dhe pamundësia për të blerë bukë.
Në qytetet e vogla dhe provincat e varfra, si Lorestani, situata është kritike. Leila, një e re e diplomuar që jeton me pensionin e nënës së saj, thotë se jeta është bërë e pamundur.
“Problemi ynë është buka. Është bërë betejë më vete të sigurosh ushqim të mjaftueshëm, ndërsa puna nuk gjendet askund“, shpjegon ajo.
Ndryshe nga protestat e kaluara që udhëhiqeshin nga shtresa e mesme në qytetet e mëdha, këtë herë epiqendra është te njerëzit më të varfër. Arsyet kryesore janë rritja e çmimeve, rënia e monedhës dhe papunësia.
Çmimi i bukës është rritur me 113%, ndërsa ushqimet në përgjithësi janë shtrenjtuar me mbi 70% në Iran. Ndërkohë monedha vendase ka humbur 40% të vlerës së saj që pas luftës 12-ditore me Izraelin në qershor teksa në shumë provinca, të rinjtë nuk kanë asnjë mundësi punësimi.
Protestat kanë degraduar në përplasje të dhunshme. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe armë zjarri, ndërsa deri tani raportohet për të paktën 14 të vrarë dhe qindra të arrestuar.
Protestuesit po bëjnë thirrje kundër regjimit dhe udhëheqësit suprem, duke thirrur “vdekje Republikës Islamike”.
Sytë e botës janë te Irani. Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA-të do të ndërhyjnë nëse regjimi vazhdon të vrasë protestuesit.
Nga ana tjetër, udhëheqësit iranianë fajësojnë “ndërhyrjen e huaj” (SHBA-të dhe Izraelin) për trazirat, duke i quajtur protestuesit “rebelë” që paguhen me dollarë.
Qeveria e presidentit Masoud Pezeshkian po përpiqet të qetësojë situatën duke shpërndarë “kuponë ushqimi” për rreth 90% të popullsisë. Megjithatë, për njerëzit si Leila, kjo ndihmë është qesharake.
“Kjo nuk mjafton as për orizin. Ne nuk jemi thjesht të varfër, jemi shumë poshtë kufirit të varfërisë”, thotë ajo.
/tvklan.al












Botërori 2026 
