Jep dorëheqjen sekretari britanik i shëndetësisë Ues Striting, i cili shpall publikisht ambicien për të zëvendësuar shefin e tij aktual Kir Starmer që ndodhet në momentin më të vështirë, që pas fitores historike të laburistëve para dy vitesh. 

Në një letër  publike, Striting  tha se ka humbur besimin te kryeministri dhe e akuzoi atë për mungesë vizioni dhe shmangie ndaj përgjegjësisë pas humbjeve katastrofike në zgjedhjet e pjesshme lokale dhe rajonale të javës së kaluar.

Ndonëse Striting ka mbështetjen e nevojshme për të nisur një sfidë zyrtare, ai i ka bërë thirrje Starmer-it të hapë rrugën për një garë të gjerë idesh. Kjo lëvizje ka nxitur edhe figura të tjera si Angela Rayner dhe kryebashkiakun e Mançesterit, Andy Burnham të përgatiten për një garë të mundshme për kreun e partisë.

Për analistët, dorëheqja është një lëvizje taktike për të izoluar kryeministrin, duke detyruar atë të largohet përpara se të përballet me një votëbesim poshtërues. Sipas tyre, autoriteti i Starmer tek mbi 403 deputetët laburistë ka rënë në pikën më të ulët.

Opozita konservatore e ka përshkruar situatën si një “luftë civile”, ndërsa Douning Street këmbëngul se Starmer nuk do të dorëhiqet vullnetarisht.

Tv Klan

/tvklan.al