Në qeli vetëm Safet Bajri i dënuar në Belgjikë për trafik droge

Gjykata e Shkodrës ka dënuar me 12 vite burg anëtarët e grupit “Bajri”, të arrestuar në Tetor të 2018-s si pjesë e operacionit “OAZ”. Gjykata e gjeti fajtor Safet Bajrin për akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe organizim të lojërave sportive duke e dënuar me 2 vite e 6 muaj burg.

I njëjti dënim u dha edhe për Ismet Idrizin, që akuzohet për të njëjtat vepra penale. Ndërsa Ilir Bajri u shpall fajtor për armëmbajtje pa leje dhe u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim.

Ndërsa Emrah Plaku u dënua me 2 vite burg. Dënimin me të rëndë e mori Astmer Bilali, i cili u dënua nga gjykata me 3 vite heqje lirie. Ai akuzohet për armëmbajtje pa leje, ndërtim i paligjshëm dhe paracaktim i rezultateve sportive. Për të gjithë këta persona është ulur dënimi me një të tretën për shkak se është pranuar gjykimi i shkurtuar.

Pas arrestimit të Safet Bajrit në Tetor të 2018-s në Tiranë, Behar Bajrit në Holandë dhe Enver Bajrit në Spanjë, ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti disa akuza, përfshi atë të vrasjes, gjobëvënies, organizimi i lotarive të paligjshme, si dhe trukim ndeshjesh, të gjitha këto krime të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Por gati 2 vjet pas nisjes së hetimeve, prokuroria nuk provoi dot që të arrestuarit vepronin si një grup i strukturuar kriminal, duke shpallur moskompetencë dhe duke e dërguar dosjen në Gjykatën e Shkodrës me akuza të lehta.

Të gjithë të pandehurit kanë lënë qelitë për shkak se koha e paraburgimit është e barabarte me dënimin. I vetmi që qëndron në burg është Safet Bajri, i cili është dënuar me 9 vite heqje lire për trafik droge në Belgjikë, dënim të cilin gjykata shqiptare e ka njohur dhe ai do ta kryejë atë në vendin tonë.

Tv Klan