Pavarësisht sulmeve ajrore të vazhdueshme, në Teheran jeta e përditshme vazhdon normalisht. Në kryeqytet ka njerëz që lëvizin dhe kryejnë punët e tyre.

Vihet re një siguri e shtuar, por kjo nuk ka sjellë boshatisjen e qytetit.

“Fillimisht ishim të stresuar sepse ndodhi diçka e papritur. Pas disa ditësh, jeta u kthye në normalitet, nisëm punën. Pavarësisht asaj që thonë mediat se jeta ka ndalur në Teheran, kjo nuk është e vërtetë. Unë sapo isha në bankë, mbarova punën dhe po vazhdoj rutinën time të përditshme“, tha një banor.

“Është e vërtetë që disa njerëz janë larguar nga Teherani, ndoshta sepse kanë shtëpi pranë bazave ushtarake. Por në lagjet tona nuk ka ikur askush. Ata po vazhdojnë jetën e tyre”, u shpreh një banore e Teheranit.

Kudo shfaqen billboarda të udhëheqësit shpirtëror të Iranit, Ali Khamenei, dhe të Ajatollahut të ri të Iranit, Mojtava Khamenei.

Agjencia e lajmeve Reuters intervistoi edhe disa njerëz që prisnin në radhë për të blerë ushqim në një restorant në kohën e iftarit.

“Rrugët janë pak më të qeta. Për shkak të luftës dhe situatës, gjërat janë bërë disi të vështira dhe njerëzit mund të jenë pa humor”.

Megjithatë, banorët e Teheranit e pranojnë se bizneset dhe jeta e tyre është trazuar shumë që kur SHBA-të dhe Izraeli sulmuan Iranin, duke ndezur një luftë në Lindjen e Mesme.

Pas dy javësh lufte, mijëra njerëz janë vrarë në Iran, në Liban dhe janë regjistruar viktima edhe në disa vende të Gjirit Persik. Miliona njerëz janë larguar gjithashtu nga shtëpitë e tyre.

Klan News

/tvklan.al