Një piton 4,5-metërsh besohet të jetë gjarpri i parë në botë që i është nënshtruar një trajtimi novator dhe shpëtimtar kundër kancerit, i cili zakonisht përdoret te njerëzit, shkruan The Guardian.
Pitoni rrjetëzues 50-kilogramësh, i quajtur Jodie Foster për nder të yllit të Hollivudit, sapo ka mbushur 23 vjeç dhe jeton në kopshtin zoologjik të Chester-it. Kujdestarët filluan të shqetësoheshin se ajo mund të ishte sëmurë kur vërejtën se kishte filluar të hante më pak dhe të qëndronte më gjatë pa lëvizur në habitatin e saj.
Asaj iu diagnostikua një fibrosarkomë – një tumor malinj – në nofull; tumori u hoq me ndërhyrje kirurgjikale, por më vonë u rikthye dhe filloi të pushtonte kockën e nofullës.
Duke qenë se jeta e saj ishte në rrezik, ajo iu nënshtrua elektro-kimioterapisë. Tani, disa muaj pas procedurës, thuhet se ajo ha normalisht dhe “i është rikthyer gjallërisë dhe natyrës së saj aktive të zakonshme”.
Pitonët mund t’i shkëpusin nyjet e nofullave për të gëlltitur gjah që është shumë herë më i madh se koka e tyre; në muajt pas operacionit, stafi i kopshtit zoologjik ka vërejtur se Jodie vazhdon ta kapë, ta shtrëngojë dhe ta gëlltisë ushqimin pa vështirësi.
Ian Ashpole, veteriner në kopshtin zoologjik, u shpreh: “Kur tumori u rikthye dhe nisi të shkatërronte një pjesë të kockës së nofullës së saj, e dinim se ndoshta vetëm një operacion tjetër nuk do të mjaftonte.
“Po përballeshim me mundësinë e humbjes së saj, pasi tumori po e bënte gjithnjë e më të vështirë ushqyerjen; ndaj bashkëpunuam me specialistë të onkologjisë për të parë nëse mund ta përshtatnim elektro-kimioterapinë për një gjarpër. Me sa dimë ne, kjo është hera e parë që një metodë e tillë përdoret te një gjarpër.”
Jodie – emri i së cilës lindi kur ajo mbërriti për herë të parë dhe stafi vuri re se në dokumentacionin e saj shkruhej “JF” (shkurtim për “juvenile female”, që do të thotë “femër e mitur”) – është aq e madhe, saqë asnjë tavolinë e vetme operacioni nuk do të mjaftonte për ta mbajtur atë. Për këtë arsye, u bashkuan dy tavolina, duke krijuar një platformë me përmasat e një shtrati dopio.
Ajo u vu në gjumë (nën anestezi) në mjedisin e saj dhe u transportua me kujdes në qendrën veterinare të kopshtit zoologjik, ku iu nënshtrua ndërhyrjes 90-minutëshe.
Fillimisht, Ashpole hoqi masën tumorale dhe një pjesë të kockës së nofullës së prekur nga sëmundja, e më pas aplikoi elektro-kimioterapinë për të eliminuar çdo qelizë kanceroze të mbetur.
Elektrokimioterapia kombinon ilaçin kundër kancerit, bleomicinën, me një sërë pulsesh elektrike të kontrolluara me kujdes, të cilat dërgohen drejtpërdrejt në vendndodhjen e tumorit. Këto pulse i bëjnë përkohësisht qelizat kanceroze më të përshkueshme, duke mundësuar kështu depërtimin më efektiv të ilaçit.
Jose Alvarez Picornell, nga Departamenti i Shkencave Klinike për Kafshët e Vogla në Universitetin e Liverpulit, u shpreh: “Elektrokimioterapia është një metodë trajtimi në zhvillim dhe kjo ishte hera e parë që ajo përdorej te një gjarpër. Suksesi i këtij trajtimi dëshmon fuqinë e bashkëpunimit. Duke punuar ngushtë me Ian-in, ne arritëm të hartonim një plan që jo vetëm i solli dobi Jodie Foster-it, por që do të kontribuojë gjithashtu në komunitetin më të gjerë veterinar.”
Një kontroll përfundimtar i kryer këtë javë konfirmoi se Jodie nuk shfaqte asnjë shenjë të rikthimit të kancerit.
Picornell shtoi: “Ne do t’i publikojmë zyrtarisht detajet e procedurës, në mënyrë që kolegët veterinerë në mbarë botën të mund të mësojnë prej saj dhe ta zhvillojnë më tej qasjen tonë. Ky ka qenë një moment kulmor dhe shumë i veçantë në karrierën time, si dhe një mundësi fantastike për të zgjeruar punën tonë në departament, me qëllim mbështetjen e kërkimeve veterinare dhe atyre translacionale të një cilësie të lartë.”
/tvklan.al












Botërori 2026 
